Për herë të parë, orkestra simfonike e Filharmonisë së Kosovës do të dirigjohet nga një femër. Kjo dhe risi të tjera  për koncertin u bënë të ditura të shtunën, në një konferencë për media nga drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari, një ditë para koncertit.

Dirigjentja Nathalie Marin, pas provave me orkestrën simfonike u shpreh e kënaqur me përgatitjen artistike të instrumentistëve kosovarë.

“E vlerësoj faktin që instrumentistët ishin të gatshëm të japin shumë, edhe më shumë se koha e provave, për të arritur rezultate vërtetë të suksesshme. Kjo është simbolike, sepse jeta e tyre nuk është e lehtë. Ata duhet të mbijetojnë, por ende kryejnë punën e tyre me pasion, duke qenë komplet të përfshirë në të. Kjo është shenjë vërtetë e mirë për të ardhmen e kësaj orkestre”, deklaroi Marin.

E ftuara tjetër, flautistja nga Turqia, Sefika Kutluer, tha se është emocion i veçantë të luajë në Kosovë, pasi familja e saj ka prejardhje nga Prizreni. Kutluer ndër të tjera vlerësoi si nevojë emergjente ndërtimin e një salle koncertale në Prishtinë.

“Të luaj këtu më jep një ndjenjë të thellë, nga rrethi im familjar. Ndjej që gjithë familja ime do të më shohin duke luajtur dhe kjo më bënë të ndihem e lumtur. Që Kosova është e rëndësishme për mua tregon edhe fakti që si organizatore e një festivali ndërkombëtar në Ankara, kam ftuar 2 herë orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, u shpreh Kutluer.

Veprat e përzgjedhura për koncertin e 2-të për këtë vit, janë të kompozitorëve Gabriel Faure, Jacques Ibert dhe Ludvig van Beethoven, të cilat për herë të parë I prezantohen publikut kosovar.

E veçanta tjetër e këtij koncerti, është se për herë të parë do të përdoren disa nga instrumentet e reja, të cilat erdhën në fund të janarit si donacion I qeverisë japoneze. Koncerti do të mbahet të dielen në ora 20:00 në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Top Channel