
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi takoi të premten kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli. Në fokus ishte projektligji për veteranët e UÇK, që ka hyrë në proçedurë parlamentare.
Xhemajli kërkoi përshpejtimin e dinamikës së shqyrtimit të këtij projektligji, me anë të të cilit do të kontribuohet në përmirësimin e pozitës së veteranëve, një pjesë e të cilëve jetojnë në kushte të rënda sociale.
Krasniqi tha se komisionet përkatëse do të japin kontributin e tyre për shqyrtimin dhe aprovimin e tij sa më shpejt nga Kuvendi i Kosovës.
Ndërkohë, në një prononcim për gazetën “Epoka e Re”, Xhemajli përshëndeti vendimin e qeverisë për proçedimin e projektligjit dhe kërkoi nga deputetët e Kuvendit që t’i lënë anash dallimet politike dhe ta miratojnë atë sa më shpejt.
“U bëj thirrje të gjitha partive politike, konkretisht deputetëve, që të jenë unikë rreth këtij projektligji, në mënyrë që ta miratojnë sa më shpejt, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të veteranëve të UÇK-së”, tha Xhemajli.
Ai paralajmëroi edhe protesta në rast se projektligji nuk miratohet deri më 10 mars të këtij viti.
Top Channel