Unionin Studentor Shqiptar në Maqedoni ka ngritur zërin kundër miratimit të ligjit për administrator, me të cilin parashikohet që gjatë punësimit të merret parasysh rangu i Universiteteve në Maqedoni sipas Listës së Shangait.
Me këtë dispozitë ligjore studentët shqiptarë ndjehen të përjashtuar nga konkurrenca për punësim. Ata thonë se ligji është hartuar me qëllim që të favorizohen studentët e univesiteteve maqedonase që janë të renditura më mirë se Universiteti i Tetovës.
“Me këtë ligj tek të gjithë punonjësit në administratë, sidomos tek shqiptarët, do të krijohet një hutim dhe frikë që të mos largohen nga puna, me çka do të arrihet të vendoset nën kontroll absolut i tërë aparati shtetëror dhe do të heshtet çdo nismë për qëndrim kritik ndaj pushtetit”, deklaroi Daim Laçi, kryetar i Unioni Studentor Shqiptar.
Për renditjen e dobët të Universitetit Shtetëror të Tetovës në Listën e Shangait, përfaqësuesit e Unionit Studentor Shqiptar fajësuan partitë politike, që sipas tyre kanë partizuar institucionin më të lartë arsimor të shqiptarëve në Maqedoni.
“Nëse analizohet qëndrimin i partive maqedonase, sidomos ndaj Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe qëndrimi i partive politike shqiptare ndaj USHT-së, atëherë doemos do të duhet të konstatojmë se qëllimi real i këtij ligji është diskriminimi arsimor dhe social në administratën shtetërore”, deklaroi më tej Laçi.
“Ky debat ishte planifikuar të mbahet në hapësirat e Universitetit Shtetëror të Tetovës, mirëpo për arsye banale i njëjti u refuzua nga lidershipi e Universitetit Shtetëror të Tetovës në Shkup”, tha pas tij studentja Suela Hasallari.
Studentët shqiptarë kërkuan nga qeveria e Shkupit të ndalë diskriminimin ndaj tyre dhe të krijojë kushte të barabarta për karrierë profesionale për të gjithë.
Top Channel