Mbrotja e sovranitetit dhe siguria e Kosovës së shpejti do të kalojë nën përgjegjësinë e Forcave të Armatosura. Pjesëtarët e FSK-së tashmë po shkojnë drejt përmbushjes së kapaciteteve të plota mbrojtjëse.

Megjithatë, ende nuk dihet së edhe për sa kohë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë do të mund të transformohen në ushtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës. Me nderime të larta garda e FSK-së priti kryeministri Hashim Thaçi në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite kryeministri iu drejtua pjesëtarve të FSK-së duke deklaruar se, themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe krijimi i Forcave të Armatosura është pikësynim për një shtet të sigurt.

Bashkë me ministrin Çeku ai theksoi se Forcat e Armatosura do t’i kenë kapacitetet mbrojtjese me mandat të ri, madhësi dhe strukturë të re dhe synimi kryesor do të jetë anëtarsimi në NATO.

“Një kohë shumë e shkurtër na ndan nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, që do kenë kapacitetet e mbrojtjes, mandat të ri, madhësi dhe strukturë të re. Ato do të zhvillohen që të mbrojnë vendin. Në rrugëtimin tonë në zhvillimin e FAK duhet të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë dhe objektivi i tyre nesër duhet të jetë anëtarësimi në NATO”, deklaroi Thaçi.

“Përfundimisht po përmbushen pritjet e qytetarëve, ushtarëve dhe e drejta legjitime e Kosovës për të pasur ushtrinë e vetë. Po përmbushet e drejta ligjore që të rishikohet FSK-ja dhe Kosova të identifikojë nevojat e veta për siguri”, deklaroi nga ana tjetër ministri Çeku.

Por kryeministri nuk përcaktoi kohën se kur priten këto ndryshme. Më tej ai theksoi se FSK-ja do të mbrojë interesat e shtetit, qytetarëve të tij dhe pronën e tyre. Kryeministri Thaçi bashkë me pjesëtarët e FSK-së, shumë prej tyre ish-ushtarë të UÇK-së dhe bashkëluftëtarë të tij, bënë një vëzhgim të punës në kazermën “Adem Jashari”.

Më pas bashkë me pjestarët e FSK-së kryeministri hëngri drekë në kuzhinën e FSK-së, ku dhe e mbylli viztën, ndoshta të fundit, deri në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Top Channel