Zyrtarë të Zyrës së Prokurimit Publik në Policinë e Kosovës kanë manipuluar me tenderin për furnizimin me makina patrulluese për policinë. Kjo del si rezultat i hulumtimit të këtij tenderi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Tenderi, i shpallur më 2011 për furnizimin me vetura e i rishpallur për tri vite rresht, ka përfunduar duke fituar kompania më e shtrenjtë që ka ofruar çmimin për një makinë në vlerë prej 18 e 300 euro.

Jeton Zena ka vlerësuar se nga analizimi i dosjeve të tenderave, ofertave dhe dokumenteve të tjera përcjellëse, KDI ka ardhur në përfundim se kriteret nga njësia kërkuese kanë qenë favorizuese për prodhuesin “Wolksvagen” dhe përfaqësuesit e kësaj kompanie për Kosovën.

Sipas raportimeve nga Prishtina, Zena i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që mos ta nënshkruajë këtë kontratë, në mënyrë që buxheti i tyre të mos dëmtohet nga ky tender.

Zyrtarë të KDI-së e kanë cilësuar të mjerueshme situatën në tërë prokurimet publike, për shkak se tri agjencitë që janë përgjegjëse për monitorimin dhe anulimin e tenderave janë duke mos funksionuar prej disa kohësh, në mungesë të anëtarëve të bordeve.

Top Channel