
Demokratët zgjodhën 23-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatortit Enver Hoxha për të paralajmëruar nisjen e një sezoni të nxehtë politik, gjatë të cilit kanë ndërmend të bashkojnë çdo pakënaqësi kundër qeverisë dhe pastaj të protesojnë sërish kundër saj.
Ky i 20 Shkurtit ishte marshimi i parë i protestës kundër asaj që opozita e quan mashtrim elektoral të kryeministrit Edi Rama për shqiptarët.
Duke i kërkuar kreut të qeverisë të nisë me urgjencë mbajtjen e premtimeve elektorale, të cilat ishin shndërruar edhe ne pankarta ne duart e demokrateve, zoti Basha lajmëroi se kjo nuk do të jetë protesta e vetme.
Demokratët ende nuk kane një datë për protestën e ardhshme, por 22 Marsi është data më e afërt tjetër që demokratet e kanë simbol të fitores së tyre të parë në zgjedhje.
“Çfarë emri ka kjo qytetarë, kur marrja e votave me një listë të bujshme premtimesh që braktisen që të nesërmen, që harrohen dhe flaken nga fituesi, njësoj si shprehja “Kalova lumin…”. Si zgjidhjet kjo? Kjo protestë do të pasohet nga të tjera edhe më të fuqishme, deri kur kryeministri që ka grisur kontratën të marrë një për një të gjithë përgjegjësitë që i takojnë sepse kushdo që mashtron për vota nuk do t’i gëzohet e s’mund t’i gëzohet pushtetit”, tha kryetari i opozitës, Lulzim Basha.
Kreu i opozitës u tregua i kujdeshëm të mos artikulojë një kërkesë për zgjedhje të parakohshme në muajin e 5-të të qeverisjes së koalicionit Rama-Meta, por zgjedhjet e parakohshme mund të bëhen kërkese kryesore e protestave të opozitës, nëse Shqipëria humbet statusin në Qershor.
“Vendi nuk mund të jetojë në fatelitetin e dështimeve të qeverisë. Do të ishte marrëzi që shqiptarët të drejtohen nga dështimi në dështim edhe për katër vjet të tjerë, ndaj përmes protestës popullore, populli i lirë do të marrë vetë në dorë çështjen e statusit. Paralajmëroj, në emër të mijëra shqiptarëve që të mos luani me njerëzit, të mos luani me popullin!”, theksoi Basha.
Kreu i opozites foli në një dekor të rrethuar me tullumbace, ku në secilin ishin shkruar ato që Partia Demokratike i rendit si premtimet e pambajtura te koalicionit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Rama dhe që demokratet i plasën në fund të protestës së tyre antiqeveritare.
Top Channel