
Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi mendon të përmirësojë
imazhin para se të hyjë në zgjedhje, nëpërmjet një kriteri që do të vërë
në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të legjislaturës
së ardhshme.
Në listë nuk do të përfshijë zyrtarët mbi të cilët rëndojnë aktakuza. Një nënkryetar i këtij subjekti politik, që ka folur në kushte anonimati për “Kohën Ditore”, ka thënë se imazhi është lënduar nga numri i madh i zyrtarëve partiakë që kanë probleme me ligjin.
Kryetarë komunash, deputetë e anëtarë të ekzekutivit janë përballur me drejtësinë në vitet e fundit. Në shumicën e rasteve, proceset gjyqësore ende nuk janë përmbyllur ngaqë nuk ka aktgjykime të formës së prerë.
Edhe një tjetër nënkryetar i kësaj partie ka folur në kushte anonimiati në këtë temë. Sipas tij, jo vetëm zyrtarët mbi të cilët rëndojnë aktakuzat nuk do të mund të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë, por as ata ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar vetëm hetime.
Top Channel