
Të dielën në mesditë, në Pallatin e Kongreseve “Acropolis” të Nicës, do të hidhet shorti për kualifikueset e Europianit 2016.
53 kombëtarët, që do të garojnë për një vend në fazën finale të turneut, që do të zhvillohet në Francë, do të përfshihen në grupe me nga 5 apo 6 skuadra, ku do të zhvillojnë ndeshje vajtje-kthim, për të përcaktuar të kualifikuarit.
Në Francë do të shkojnë 9 kombëtaret fituese të secilit grup, ndërkohë që 9 të dytat dhe kombëtarja më e mirë mes atyre të renditura të tretat, do të zhvillojnë ndeshje “play-off”, për të përcaktuar 5 skuadrat e tjera, që do t’i bashkohen fituesve.
Kombëtaret janë të ndara në 6 vazo, bazuar mbi koefiçentët e UEFA-s, ndërkohë që Shqipëria do të jetë në vazon e 5.
Një nga risitë kryesore është e ashtuquajtura “java e futbollit”, që parashikon zhvillimin e ndeshjeve kualifikuese çdo ditë, nga e enjtja deri të martën.
Në cilësinë e vendit organizator, Franca do të ketë të drejtën për një vend në fazën finale të turneut, pra nuk do të zhvillojë eliminatore. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, “gjelat” do të luajnë ndeshje miqësore ndaj skuadrave të grupeve të kualifikueseve, të formuar nga 5 pretendentë.
Vazo 1: Spanja, Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Rusia, Bosnje-Hercegovina.
Vazo 2: Ukraina, Kroacia, Suedia, Danimarka, Zvicra, Belgjika, Republika Çeke, Hungaria, Republika e Irlandës.
Vazo 3: Serbia, Turqia, Sllovenia, Izraeli, Norvegjia, Sllovakia, Rumania, Austria, Polonia.
Vazo 4: Mali i Zi, Armenia, Skocia, Finlanda, Letonia, Uellsi, Bullgaria, Estonia, Bjellorusia.
Vazo 5: Islanda, Irlanda e Veriut, SHQIPËRIA, Lituania, Moldavia, Maqedonia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Qipro.
Vazo 6: Luksemburgu, Kazakistani, Lihteshtejni, Ishujt Faroe, Malta, Andorra, San Marino, Gjibraltari.
Top Channel