E keqja që bëjmë sikur nuk e shohin

20/02/2014 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Në harkun e 24 orëve, mediat shqiptare kanë
regjistruar tri histori të veçuara mes tyre, të cilat lidhen me drogën.

Në një zonë të quajtur “Hidrovori” në Vlorë, është zbuluar një tunel rreth 9 metra i gjatë, i cili, sipas policisë, përdorej për magazinimin e drogës. Kurse në Sarandë janë zbuluar një varkë dhe një makinë, në të cilat ndodheshin përkatësisht 70 dhe 140 kg marijuanë, e destinuar mesa duket, për tregun grek dhe atë italian. Kjo është një kronikë që tashmë nuk përbën më lajm. Gomonet dhe makinat e kapura, janë të vështira të numërohen në fund të një jave kalendarike. Me një logjikë të thjeshtë, edhe më i gjatë duhet të jetë vargu i mjeteve të transportit, që i shpëtojnë syrit dhe dorës së autoriteteve të shtetit, duke kaluar matanë detit.

Shqipëria po përjeton një sezon të ethshëm trafikimi të drogave. Një problem therës, që prek rëndë imazhin e vendit, acaron fqinjët, fut në krizë dhe sherr politikanët dhe errëson perspektivën e kujtdo që ka vendosur ta jetojë jetën në këtë pjesë të diellit. Statusi i vendit prodhues, përpunues e transportues të narkotikëve është një përcaktim që ka zënë tashmë vend, për fat të keq, në të gjitha raportet serioze që hartohen për Shqipërinë nga organizmat ndërkombëtarë dhe demokracitë perëndimore.

Pak ditë më parë, në një dalje që duket se lidhej me momentin aktual, kreu i Komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko, nuk hezitoi t’ua kalojë përgjegjësinë për atë që ndodh në territorin e komunës së tij, institucioneve të qeverisjes qendrore. Me fjalë të tjera, ai tha atë që po dëgjohet të thuhet përherë e më tepër: Që Lazarati dhe të gjitha realitetet e tjera të vogla apo të mëdha si ai, janë një problem kombëtar, që sigurisht ka një dimension ligjor, por edhe politik, social, ekonomik e kulturor. Kreu i komunës thotë se po kujdeset që droga të mos pushtojë tokat publike, kurse për ato private, përgjegjësia, sipas tij, është e banorëve. Ky qëndrim, ndonëse pjesë e kapitullimit kombëtar përballë fenomenit, zbulon se dukuria ka marrë tashmë përmasat e një epidemie kolektive. Në një intervistë të para dy vjetëve, dy të rinj holandezë që u ngjitën në Lazarat gjatë sezonit të nxehtë të vitit 2011, shpreheshin se atje edhe fëmijët duhet ta çajnë rrugën përmes plantacioneve të kanabisit, teksa shkojnë në shkollë me çantën e librave në shpinë.

Javë më parë, drejtori i përgjithshëm i Policisë i hidhte benzinë një zjarri të vjetër, teksa deklaronte pamundësinë de facto të shtetit, për të kontrolluar situatën në një fshat që sot, me rrugën e re Gjirokastër-Kakavijë, mund ta kalosh në pak sekonda, me ecje të shpejtë makine. Drejtori Didi e ka deklaruar praktikisht që në vjeshtë, se për Lazaratin nevojitet bashkëpunimi i të gjithëve. Duke e hequr kësisoj edhe ai nga vetja, si përfaqësues i strukturave të rendit, përgjegjësinë e zbatimit të ligjit në këtë pjesë mikroskopike të territorit të Shqipërisë.

Por a është vërtet kaq e vështirë të kontrollohet Lazarati dhe ato pjesë të tjera të vendit, ku kultivohen bimët narkotike? Ky është një vend kaq i vogël, si ka mundësi të jetë kaq i pakontrollueshëm? A është kaq e vështirë të kontrollohet rrjeti i trafikantëve që kanalizojnë përditë dhjetëra e qindra kilogramë hashash nëpër pikat tona kufitare? Apo para se të bëhen këto, duhet një krehje e thellë e të gjithë rrjetit të institucioneve, që mesa duket kanë lejuar e po lejojnë këtë situatë alarmante? Apo mos ndoshta, droga e periferisë i ka fijet larg fushave të Lazaratit, në qendrat e mëdha urbane apo edhe jashtë vendit? Sepse s’ka mundësi që përballë kësaj të keqeje, shteti të dështojë kaq shëmtuar dhe kaq gjatë.

Shifrat e dy vjetëve të fundit janë të mjaftueshme për ta lënë pa gjumë qeverinë “Rama”. Në dy vjet janë bllokuar 50 tonë kanabis nga pala shqiptare dhe 30 tonë nga policitë e vendeve fqinje. Vetëm në janar të këtij viti i kapën katër tonë drogë. Ky është një tregues i tërthortë i reagimit të strukturave të shtetit, por edhe i përmasës së problemit të drogës në Shqipëri. Pasi është ky momenti, e jo më vonë, që shteti të paraqesë plane konkrete për luftën ndaj trafikut, prodhimit dhe përpunimit të drogës në territorin shqiptar. Deri tani këto plane nuk janë bërë publike, qoftë edhe në vija të përgjithshme, nga strukturat e specializuara, ndërkohë që krerët politikë të qeverisë qendrore vijojnë ta mbajnë të ngarkuar retorikën e ditës me deklarata të përgjithshme. Nëse kanë ndërmend të bëjnë diçka, le të na e tregojnë. Përndryshe bëjnë mirë të heshtin, pasi fushata elektorale ka kohë që ka mbaruar.

Droga është tashmë një realitet që po komprometon jo vetëm imazhin e strukturave të policisë apo sistemin e drejtësisë. Është një problem që ka marrë peng emrin e këtij vendi, që po zhbën, me zhurmnajën që krijon kudo në botë, shumë nga punët e mira që shqiptarët bëjnë me punën e tyre të pastër, që na tregon faqe botës si batakçinj e shkelës ligji, që i jep shtetit tonë pamjen e të paaftit (jo se nuk e meriton në fakt), që këqyr i paralizuar sesi e keqja ka kapluar të gjitha venat e shoqërisë. Nëse beteja me drogën shtyhet në kohë, shanset që ajo të fitohet do të jenë dukshëm më të vogla sesa janë sot. Sepse tonelatat e hashashit që kapen nëpër pikat tona kufitare, kanalizohen pjesërisht edhe në shkollat, lokalet e natës, ambientet rinore kudo në Shqipëri. Për këto arsye nuk duhet të fitojë pajtimi me të keqen, i cili herë ka pamjen e shpërfilljes përballë asaj që ndodh me plantacionet e drogës kudo në Shqipëri, e herë të apatisë kolektive përballë historive të dhimbshme që prodhon çdo ditë pluhuri i bardhë, në çdo cep të këtij vendi.

Top Channel