
Debati për administratën publike, marrë shkas dhe nga spiralja e ligjit të nënpunësit civil, që është vënë në krye të akuzave dhe kauzave politike të podiumit të opozitës, nuk është i ri dhe as më i fortë se tetë vjet më parë.
Vetëm një vit pas ardhjes së demokratëve në pushtet, administrata publike ishte në krye të mesazheve jo vetëm të institucioneve përgjegjëse në vend, por dhe të ndërkombëtarëve.
Përgjatë këtij viti, vetëm pak muaj pas ndërrimit të pushtetit, socialistët e sapodalë në opozitë dolën në krah të të larguarve nga administrata, duke kërkuar dhe kryesuar një komision hetimor parlamentar për atë që ata e quajtën “spastrimi politik” i nënpunësve të shtetit.
Raporti i socialistëve, që konkludoi se vetëm nëntë muaj pas marrjes së pushtetit demokratët kishin larguar nga adminstrata 10 mijë e 500 punonjës, fliste sipas tyre për një shifër gjithësesi më të ulët sesa si ishin shkarkimet realisht, për shkak të mungesës së aksesit në institucione.
Ndërsa pranë Komisionit të Shërbimit Civil, strukturë ku duhet të depozitohen ankesat për largimet nga puna të punonjësve të admistratës, 2006 dhe 2011 janë vitet që sipas nga shifrave zyrtare kanë numrin më të lartë të ankesave.
Shifrat tregojnë vetëm tendencën e lëvizjeve në administratë, pasi këtij komisioni nuk i janë drejtuar të gjithë të larguarit nga puna me kërkesë-ankesë, por vetëm një numër disa herë më i vogël i tyre.
Shkarkimet në këto vite vijuan të ishin pjesë e debatit politik deri në prag të zgjedhjeve të 2013, kur pati një tjetër valë shkarkimesh dhe presionesh për largime politike nga puna.
Duke iu referuar raportimeve të kohës, pas largimit të LSI nga koalicioni me PD ishin të shumtë punonjësit që iu nënshtruan largimeve nga detyra në të gjithë piramidën e administratës në Tiranë dhe në rrethe.
Por debati për largimet nga puna nuk prek vetëm administratën qëndrore. Lista me emrat e të larguarve përmban vetëm një pjesë të punonjësve të shkarkuar nga Bashkia e Tiranës pas zgjedhjeve të majit të 2011-ës, ndërsa pretendohet se numri i tyre është disa herë më i lartë.
Me 371 punonjës të aparatit qëndror të bashkisë dhe në total me të gjitha institucionet në varësi, 2633, në këtë listë me me 135 emra të larguar nga puna, pjesa më e madhe i përket policisë bashkiake, ndërsa bie në sy se nuk mungojnë as shkarkime teknikësh, sekretare, shoferë, elektricistë, hidraulikë e muratorë.
Por në gjithë debatin për largimet nga puna ndër këto tetë vjet, nuk ka, të paktën të publikuara, statistika zyrtare të lëvizjeve në administratë, fakt ky që i shkon për shtat argumentit politik të ditës për këtë çështje.
Top Channel