
Me këngë nacionaliste, ku bëhej thirrje për “përgatitje për beteja”, mesditën e së mërkurës në Mitrovicën e veriut u zhvillua tubimi i të ashtuquajturit “blloku nacionalist”, i përbërë nga Partia Radikale Serbe, si dhe lëvizjet “Obraz” (Fytyra) dhe “Nashi” (Tanët), të cilat njihen si ekstremiste dhe ultra-nacionaliste në Serbi.
Me porosinë për disa qindra qytetarë të tubuar, se Partia Radikale Serbe asnjëherë nuk do t’i tradhtojë, ata nisën në Kosovë fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Sipas raportimeve të “REL”, përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe theksuan se kjo parti është e vetmja që së bashku me lëvizjet “Obraz” dhe “Nashi” kanë vendosur ta nisin fushatën elektorale nga Kosova, për shkak se, sipas tyre, duan të tregojnë se asgjë nuk ka më të rëndësishme për ta sesa Kosova dhe se pa të Serbia nuk mund të ekzistojë.
Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës më herët kanë theksuar lidhur me zgjedhjet parlamentare në Serbi, se për qytetarët e Kosovës që kanë si shtetësi të dyfishtë edhe atë të Serbisë, nuk do të ketë qendra të votimit në Kosovë, por vetëm pika të grumbullimit.
Top Channel