
Mungesa e reshjeve të shiut dhe borës dhe rreziku për mungesë të ujit këtë vit bënë që autroitetet e pushtetit lokal dhe qëndror të shqyrtojnë mundësi të tjera për ta zgjidhur problemin.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti vizitoi disa puse të ujit të cilat ndodhen në lagjen Fusha e Pajtimit të kryeqytetit kosovar.
Bëhet fjalë për nëntë puse të Ujësjellësit Rajonal Prishtina, të cilat nuk janë shfrytëzuar për nxjerrjen e ujit por për hedhjen e mbeturinave.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë vizitës në këtë zonë tha se shumë shpejt do të pastrohet terreni nga mbeturinat në mënyrë që të përdoret edhe shfrytëzimi i ujit të puseve.
Ndërkohë, nga ana tjetër edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, nëpërmjet një deklarate në Facebook premtoi ndihmë për komunat e Kosovës në mënyrë që të tejkalohet kriza e ujit.
“Jemi duke kaluar një stinë shumë të thatë me shumë pak shi apo borë. Qeveria do t’i ndihmojë komunat që ta kapërcejmë këtë krizë të ujit, por çdo qytetar ka detyrimin të japë kontributin e tij në kursim dhe shfrytëzim racional të ujit”, thuhet në deklaratën e Thaçit në Facebook.
Top Channel