Platini në Tiranë

19/02/2014 00:00

Paraditen e së mërkurës mbërriti në Tiranë një delegacion i UEFA-s i kryesur nga vetë presidenti i organizmit më të rëndësishëm të futbollit europian, Michel Platini.

Gjendja e futbollit shqiptar, infrastruktura dhe projektet për përmirësimin e saj, vecanërisht në plotësimin e kritereve ndërkombëtare për stadiumin kombëtar, ishin tema e bisedimeve që Platini zhvilloi në selinë e qeverisë me Kryministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama njohu presidentin e UEFA-s me projektin për rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit deri në muajin shtator në kushtet e pranueshme për të mikpritur ndeshjet ndërkombëtare provizorisht deri në përfundimin e projektit për Stadiumin Kombëtar.

“E informova me kënaqësi që jemi të angazhuar dhe jemi të bindur që në shtator do t’i dhurojmë Kombëtares sonë, por edhe për pjesën tonë të kompeticionit, një stadium që do të jetë në lartësinë e imazhit që duam për Shqipërinë, në Elbasan. Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, Qeveria do të financojë këtë operacion. Ndërkohë folëm dhe për të ardhmen e Stadiumit Kombëtar, i cili fatkeqësisht sot është jashtë standardeve për të mikpritur një ndeshje ndërkombëtare”, tha Rama.

Nga ana e tij, presidenti Platini nënvizoi se sa e rëndësishme është infrastruktura jo vetëm për rritjen e nivelit të futbollit, por edhe për imazhin e Shqipërisë.

“Folëm për stadiumin e ri, diçka që Kryeministri e ka konsultuar se bashku me Presidentin Armando Duka, e që do të realizohet sapo të jenë krijuar të gjitha kushtet. Stadiumi i ri do të ndërtohet në Elbasan, rreth 40 kilometra nga këtu, dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ndeshjeve në rang ndërkombëtar. Po ashtu, për krijimin e një vizonit të ri për sportin e futbollit, në Shqipëri, pasi duke filluar nga shtatori, të gjitha ndeshjet në Shqipëri, do të ndiqen nga  e gjithë bota”, deklaroi Platini.

Presidenti i UEFA-s shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Xhani Infantino së bashku me anëtarë të tjerë të delegacionit u ndalën edhe në zyrat e FSHF-së ku u pritën nga presidenti Armando Duka.

Presidenti Platini ka diskutuar me Presidentin Duka në lidhje me ecurinë e futbollit shqiptar dhe kontributin që ka dhënë dhe do të japë UEFA në zhvillimin e tij. Presidenti Platini vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me FSHF nëpërmjet projekteve të ndryshme të financuara nga UEFA dhe premtoi se edhe në të ardhmen asistenca e saj për futbollin shqiptar do të vazhdojë.

Në këtë takim merrte pjesë edhe një delegacion i Federatës Kosovare të Futbollit, kryesuar nga presidenti i saj, Fadil Vokrri.

Top Channel