
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ende nuk e ka nënshkruar mocionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rrëzimin e qeverisë.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në pyetjen lidhur me këtë çështje, Krasniqi komentoi shkurt. “Këtë do ta shohim kur të mblidhemi në Kuvend”, tha Krasniqi.
Ndërsa Adem Grabovci, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, nismën e AAK-së e quan demokratike, por joserioze dhe si e tillë do të dështojë.
Grabovci u shpreh i sigurt në fitoren e sërishme të PDK-së, duke theksuar që PDK ende nuk ka përfunduar misionin e saj, qartësimin e çështjes së Veriut të Kosovës.
“Nisma duhet të jetë serioze për të përfunduar me sukses. Unë vlerësoj se kjo nismë nuk e ka seriozitetin e mjaftueshëm, nuk është e mbështetur në fuqinë politike, sepse për një gjë të tillë kërkohen 61 vota”, deklaroi Grabovci.
Gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit u vendos që seanca plenare e radhës të mbahet javën e ardhshme, ku pritet të ketë debate të kërkuara nga grupet parlamentare.
Top Channel