
Për kryeministrin Rama, reforma në arsim është themeli, mbi të cilin do të mbështetet e ardhmja e rinisë shqiptare, e cila – sipas tij – deri më sot ka vuajtur mungesën e një vizioni të qartë, e për më tepër abuziv, sa i takon këtij sektori.
Sistemi i deritanishëm, tha kryeministri, është ngritur duke grabitur paratë e prindërve dhe ëndrrat e të rinjve.
“Unë nuk besoj që të ketë shtet në botë, që të na konkurojë për doktor shkencash për kilometër katror. Pa llogaritur masterat, që jam i bindur se ne i kemi çdo 100 metra katrorë në zonat e banuara, sepse zor të mendohet që në 100 metra katrorë nuk gjen një person me master. Edhe po të bashkosh dy shtëpi me nga 50 metra katrorë, njëri është patjetër me master. Kështu shkojmë drejt shkatërrimit, një shkatërrimi me pasoja që nuk i llogarisim dot”, theksoi kryeministri Rama.
E në këtë situatë, kur tregu i kufizuar në kërkesë është tejmbushur me të diplomuar të të njëjtit sektor, papunësia ka pësuar rritje, theksoi kryeministri.
Shkollat profesionale, sipas zotit Rama, do të jenë elementi, që do të nxjerrë nga ngërçi aktual sistemin, duke i dhënë frymëmarrje dhe mundësi të mëdha punësimit të të rinjve.
“Modeli, që ne do të fusim me këtë reformë, është matura +2, që ka të bëjë me arsimimin profesional. Pra, një pjesë, ata më të zotët, ata që kanë punuar më shumë dhe ata që kanë më shumë ambicie, do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik. Pjesa tjetër do të vazhdojë rrugëtimin për të marrë një zanat dhe për ta bërë këtë, si një instrument që të jetojnë përmes punës së tyre, jo thjesht dhe vetëm duke qenë çirak diku, por edhe duke hapur një biznes të vogël me zanatin e tyre dhe duke punësuar të tjerë, falë aftësisë së tyre në një zanat”, vijoi më tej zoti Rama.
Në fjalën e tij të gjatë, përballë studentëve të ekselencës, kryeministri detajoi elementë të kësaj reforme, të cilën e cilësoi mjaft të rëndësishme.
Top Channel