Ukraina, Rusia bën gatin këstin e dytë të huasë

18/02/2014 00:00

Rusia do të ofrojë për Ukrainën, brenda kësaj jave, një tjetër këst ndihme prej 2 miliardë dollarësh, bëri të ditur ministri rus i Financave, Anton Siluanov.

Në Dhjetor, Moska u angazhua për një ndihmë prej 15 miliardë dollarësh, në mbështetje të ekonomisë së plogësht ukrainase, por deri më tani vetëm 3 miliardë dollarë janë transferuar.

Rusia kishte lënë të kuptohej se kjo ndihmë ishte “ngrirë”, deri sa të formohej qeveria e re e vendit, pasi kryeministri i Ukrainës dha dorëheqjen muajin e kaluar.

Kësti i radhës shihet më shumë si një nxitje ndaj presidentit të akuzuar Viktor Yanukovych, i cili është përballur me protesta masive në vend.

Në një ngjarje tjetër, opozita ukrainase po planifikon të ushtrojë presion për të votuar në Parlament rikthimin e Kushtetutës së vitit 2004, një lëvizje që do të kufizonte fuqitë e presidentit Yanukovych dhe do të çonte drejt mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Opozita bën thirrje gjithashtu për një tubim masiv jashtë ndërtesës së Parlamentit, në kryeqytetin e vendit, Kiev. Gjithsesi, deputetët pro-presidentit, të cilët kanë edhe shumicën në Parlament, priten që të bllokojnë çdo lloj nisme që dobëson fuqitë e presidentit Yanukovych.

Trazirat në Ukrainë nisën në Nëntor, kur Yanukovych refuzoi të firmoste dy marrëveshje me Bashkimin Europian, atë të Stabilizim-Asociimit dhe atë të Tregtisë së Lirë, duke pranuar në fakt një huadhënie të ofruar nga Rusia.

Moska kërkon nga Ukraina që t’i bashkohet Bashkimit Doganor, të udhëhequr nga Rusia, ku bëjnë pjesë gjithashtu edhe Kazakistani dhe Bjellorusia. Ndërkohë, BE dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Ukrainës.

Top Channel