Soçi, lirohen këngëtaret e “Pussy Riot”

18/02/2014 00:00

Dy anëtaret e grupit të famshëm rus “Pussy Riot”, që u arrestuan të hënën në afërsi të Soçit, u lanë të lira.

Maria Alyokhina dhe Nadezhda Tolokonnikova u ndaluan, të dyshuara për vjedhje. Ato fituan lirinë në muajin Dhjetor, pasi u dënuan për huliganizëm, për këngën kundër Vladimir Putin në katedralen më të madhe të Moskës.

Dy anëtaret e grupit, bashkë me dy mikeshat e tyre, dolën nga komisariati i policisë në Soçi me kapuçët e skive, pasi qëndruan për disa orë të ndaluara në komisariat.

Grupi i vajzave nisi të vrapojë në rrugë dhe të këndojë këngën e re, “Putin do t’iu mësojë të jetoni në mëmëdhe”, e cila kritikon presidentin rus.

Tolokonnikova u tha gazetarëve se ato “u mbajtën të bllokuara për 10 orë nga policia, të hënën në Soçi, ku kishin ardhur për të bërë një deklaratë politike. Në fillim të këtij muaji, gjashtë anëtaret e “Pussy Riot” firmosën një letër të hapur, ku shpjeguan se Alyokhina dhe Tolokonnikova nuk duhet të konsideroheshin më si anëtare të grupit “Punk”.

Anëtaret e mbetura thanë se vajzat kishin harruar aspiratat dhe idealet e grupit dhe bënë një gabim të rëndë, “që u shfaqën në koncertin e ‘Amnesty International’ në Nju Jork”.

Në një zhvillim tjetër, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar iu përgjigj, të martën, reagimeve për largimin me forcë nga arena e ndjeshjes së hokejit, të ish-deputetes italiane, Vladimir Luxuria, e lindur mashkull, por që ka ndryshuar seksin.

Sipas Komitetit Olimpik Dimëror, “ajo u shoqërua paqësisht” dhe “nuk u arrestua”. Luxuria mbante veshur një fustan me ngjyrat e ylberit, simbol i të drejtave të homoseksualëve, kur u mor nga katër persona të paidentifikuar, në një makinë ku dalloheshin simbolet olimpike, pikërisht në momentin kur po hynte në arenen, ku do të zhvillohej ndeshja e hokejit për femra.

Top Channel