Skoci, jehona e Edward Snowden

18/02/2014 00:00

Studentët e Universitetit të qytetit të Glasgout, në Skoci, kanë zgjedhur Edward Snowden, ish-agjentin amerikan, si rektorin e tyre. Rektori i studentëve është përfaqësuesi i zgjedhur i studentëve. Ai u përzgjodh në garën me tre kandidatë të tjerë; një çiklist, një autor dhe një përfaqësues fetar.

Në këtë post, ai pason ish-udhëheqësin e liberal-demokratëve britanik, Charles Kennedy. Edward Snowden, ish-agjenti i shërbimit sekret amerikan, Majin e kaluar tronditi botën me të dhënat sekrete që publikoi, për survejimet në internet dhe në bisedat telefonike, të bëra nga shërbimet sekrete amerikane në bashkëpunim me ato britanike.

Tashmë Snowden ka kërkuar azil politik në Rusi. Në këtë post, më parë, ndër të tjerë ka qenë dhe Winnie Mandela, ish-bashkëshortja e Mandelës.

Ndër detyrat e rektorit të studentëve janë pjesëmarrja në mbledhjet, që kanë të bëjnë me burimet financiare të universitetit, bashkëpunimi me këshillin përfaqësues të studentëve, dhe paraqitja e shqetësimeve të studentëve pranë drejtuesve të universitetit.

Mandati është trevjeçar, por duket se është një xhest simbolik, pasi është e pamundur ta ushtrojë një post të tillë në mungesë, për shkak të pamundësisë për t’u larguar nga Rusia.

Padyshim, një përzgjedhje e tillë është shenjë dhe demostrim i kundërshtimit të studentëve ndaj praktikës së survejimit të individëve, përmes internetit dhe përgjimit të telefonave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA