ANDREA STEFANI – Ata që kanë vrarë protestues nuk mund të protestojnë
për liri! Dhe prandaj jo rastësisht, Sali Berisha, ka caktuar si ditë të
protestës kundër qeverisë 20 shkurtin.
Sepse ajo është dita e lirisë. Më 20 shkurt të vitit 1991, u përmbys monumenti i diktatorit Enver Hoxha dhe bashkë me të, edhe vetë diktatura komuniste. Ironia është se Berisha e organizon protestën ditën e rënies së diktaturës, pikërisht për të maskuar me “antikomunizëm”, një krim të denjë për një diktaturë komuniste: vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011. 21 janari i Sali Berishës është si 2 prilli i Ramiz Alisë. Prandaj dhe protesta e Berishës, është një protestë për llogari të krimit dhe botës së tij e jo të drejtësisë dhe lirisë.
***
Si përherë, në këto mbi dy dekada tranzicion, mungesa e kauzave të vërteta e detyron Berishën që t’i rikthehet kohë pas kohe “antikomunizmit”. Shihet qartë që ushqen iluzionin se mbi 23 vjet nga rënia e komunizmit, shqiptarët do ta ndjekin pas në rrëzimin e “komunizmit”! Por shumica e shqiptarëve nuk mund ta ndjekë Berishën në këtë donkishotizëm me “mullinjtë e komunizmit”, edhe për faktin se në vithet e Rosinantit të tij plak, dallon që larg stemat e atij autokratizmi të korruptuar dhe kriminalizuar që sapo e rrëzuan me votë më 23 qershor. E rrëzuan me votë masive edhe për faktin se vrau 4 protestues të pafajshëm para zyrës së tij. Dhe shumica e shqiptarëve e di se ata që kanë vrarë protestues të pafajshëm nuk protestojnë për liri. Prandaj nuk do t’i ndjekë. Sepse i duhet të mohojë veten dhe gjakun e atyre që u vranë padrejtësisht nga një pushtet i padrejtë!
***
Po përse do të protestojë Berisha dhe mbështetësit e tij më 20 shkurt? Që ditën që Berisha ra nga pushteti kemi parathënë se do të vinte ky çast. Berisha është aq i vjetër në politikë sa i ka konsumuar të gjitha taktikat e veta dhe nuk mund të pjellë asgjë të re. Kjo e 20 shkurtit nuk është gjë tjetër veçse një rikthim në taktikën e ndjekur prej tij që kur ra nga pushteti në vitin 1997. Në atë kohë, sapo drejtësia ndaloi 6 prej figurave të PD për të hetuar krimet e ndodhura në mars ‘97, Berisha u hodh me nxitim në protesta. Në krye printe ai vetë me Azem Hajdarin që sokëllinte: “Ta shporrim qelbësirën”! E kishin fjalën për kryeministrin Fatos Nano. Sot është po Berisha që thërret: Ta shporrim Edi Ramën! Por si sot, edhe atëherë, qëllimi ishte obstruktimi i drejtësisë, i hetimeve për krimet e vitit 1997. Grushti i armatosur i shtetit i vitit 1998, si edhe ai i mëvonshmi mbi Komisariatin e Tropojës, u nxitën po nga i njëjti qëllim.
***
Dhe duhet pranuar se atëherë Berisha ia arriti qëllimit. Protestat, grushtet e shtetit, konfliktualiteti politik, si dhe përvoja e hidhur e vitit ‘97, kur për hir të pushtetit Berisha dogji shtetin, i nxitën edhe ndërkombëtarët të ndërhyjnë që Berisha as të mos hetohej dhe as të mos ndëshkohej sipas ligjit për fajet dhe krimet e tij. Dhe ky paralizim i drejtësisë ishte premisë e parë dhe themelore për rikthimin e tij në pushtet në vitin 2005. Edhe pse shumë nga ata që kishin ikur të tmerruar nga autokratizmi i tij, u rikthyen te Berisha duke propaganduar se “ka ndryshuar”, koha provoi se ai nuk kish ndryshuar aspak. Berisha e keqpërdori shansin e tij të dytë historik për të ushtruar të njëjtën zeje të autokratit, të kapësit të të gjitha pushteteve, të manipuluesit të zgjedhjeve. Madje e ushtroi edhe më egërsisht se më parë. Sepse vrau, vrau protestues të pafajshëm më 21 janar, vrau qytetarë që po protestonin kundër korrupsionit të llahtarshëm të qeverisë së tij.
***
Dhe tani kur mbi 1 milion votues presin që drejtësia të ndëshkojë vrasësit e 21 janarit, korrupsionin e përgjakshëm të Gërdecit, të ndëshkojë ata që kanë vjedhur hapur paratë publike në 8 vjet duke grumbulluar pasurira që ua denoncojnë hapur makinat dhe vilat luksoze, Berisha i rikthehet taktikës së protestave, taktikës së destabilizimit politik. Shkaku i vërtetë i protestës nuk janë “mashtrimet” e qeverisë “Rama”, por nevoja që ka Berisha për të shantazhuar me destabilitet, qeverinë, drejtësinë dhe më në fund, edhe ndërkombëtarët. Qëllimi i tij i vërtetë është paralizimi i drejtësisë. Masakra e 21 janarit nuk duhet të hetohet dhe gjykohet se faktet ulërijnë që fajtor është Berisha e K°, Gërdeci nuk duhet të hetohet se faktet ulërijnë që fajtor është Berisha e K°, rruga Durrës-Kukës nuk duhet të hetohet e gjykohet se faktet prapë ulërijnë që fajtor është Berisha e K°. Berishën e K° e mbron vetëm pandëshkueshmëria!
***
Protesta e 20 shkurtit, edhe pse në përvjetorin e rënies së diktaturës, bëhet në emër të bllokimit të drejtësisë, bëhet në emër të një diktature të re që refuzon drejtësinë. Protesta diktohet nga Berisha për të dhunuar barazinë para ligjit. Dhe pa barazi para ligjit nuk mund të ketë drejtësi. Ata që do të shkojnë në protestë pas Berishës, do të kontribuojnë jo për drejtësinë, jo për shtetin ligjor por për pandëshkueshmërinë e të korruptuarve dhe vrasësve me pushtet. Do të kontribuojnë në atë pabarazi poshtëruese për çdo qytetar që i thotë vetes i lirë, në pabarazinë para ligjit.
***
Para se të organizojnë protesta për “lirinë”, Berisha (edhe Basha) duhet të lajnë llogari me drejtësinë. Së pari për masakrën e 21 janarit që u zhvillua para syve të tyre dhe së gjithë botës. Të dalin para drejtësisë dhe të provojnë me fakte se kryeministri i sotëm Edi Rama organizoi, sikundër pretenduan, një puç. Por nëse nuk bëjnë këtë, atëherë nuk provojnë dot se kanë vrarë për të mbrojtur rendin kushtetues, sikundër edhe pretendojnë. Dhe nëse nuk faktojnë puçin, faktojnë se kanë vrarë pa të drejtë, se kanë kryer një krim. Por krimi i pandëshkuar është padrejtësi. Dhe aty ku nuk ka drejtësi nuk mund të ketë liri. Sepse drejtësia, sikundër shkruan Edmund Bërke, është emri i dytë i lirisë. Prandaj kush proteston në krah të Berishës më 20 shkurt, do të protestojë kundër drejtësisë dhe pro krimit të pandëshkuar, do të protestojë kundër lirisë bashkë me autokratin që vrau dhe që kërkon të rikthehet për të vrarë përsëri. Për të tretën herë…
Top Channel