Musharraf në gjykatë për tradhëti

18/02/2014 00:00

Ish-udhëheqësi ushtarak i Pakistanit, Pervez Musharraf është shfaqur në
gjykatë, për herë të parë në lidhje me akuzën për tradhëti.

Për arsye sigurie dhe shëndetësore ai e kishte pasur të pamundur të merrte pjesë në seancat e mëparshme, ndërkohë që ka qëndruar në spital për më shumë se një muaj.

Zoti Musharraf akuzohet se ka pezulluar në mënyrë të paligjshme kushtetutën e vendit dhe ka ngritur në të njëjtën mënyrë ligjin e jashtëzakonshëm në vitin 2007.

Ai është lideri i parë ushtarak që gjykohet në Pakistan dhe nëse shpallet fajtor rrezikon të përballet me dënimin me vdekje. 70-vjeçari mbërriti për seancën në Bibliotekën Kombëtare në Islamabad me një autokolonë super të mbrojtur.

Ai përballet gjithashtu me akuza të tjera për vrasje dhe kufizim të autoritetit të gjyqësorit. Nga ana e tij, Musharraf thotë se të gjitha akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Top Channel