“Mafia”, emisioni i ri në Digitalb

18/02/2014 00:00

“Mafia” u krijua më 1986 si një lojë psikologjike në Bashkimin Sovjetik nga profesori i Universitetit të Moskës në Fakultetin e Psikologjisë Dmitry Davidoff.

Ajo për shumë vite shërbente si një ushtrim i fortë logjik midis studentëve dhe gjeti përhapje të menjëhershme jo vetëm në Lindjen komuniste, por u popullarizua gjatë viteve ‘90 edhe në Perëndim. Kryesisht nëpër komunitetet universitare, klubet e debatit, rrethet sociale e madje edhe në mjediset shoqërore e familjare.

“Mafia” luhet idealisht nga 12-15 lojtarë, si një numër që eviton konfuzionin, garanton menaxhimin e mirë të kohës së debateve dhe u jep të dyja palëve mundësi të mira konkurrence. Udhëheqësi i lojës është ai që quhet “Fati”. “Fati” ka për detyrë të menaxhojë lojën duke zbatuar dhe sqaruar rregullat e saj, të japë të drejtën e fjalës, të shpallë garën për akuzat formale, të organizojë votimet, të kontrollojë etapat e lojës gjatë natës dhe ditës, si dhe të shpallë vendimet.

Pjesëmarrësit në lojë janë tre llojesh: Qytetarë, Mafiozë ose Policë. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë Qytetarë, ndërsa Polici luhet nga vetëm 1 lojtar. “Mafia” mund të luhet në çfarëdo ambienti shoqëror dhe familjar. Pjesëmarrësit mund të qëndrojnë të ulur rreth një tavoline apo në një ambient ku kanë fushë shikimi për të gjithë anëtarët e tjerë të lojës.

Pjesëmarrësit duhet të mos i tregojnë askujt rolin që kanë si dhe të mos japin indikacione, shenja apo forma të tjera që lënë të kuptohet roli. Nëse diçka e tillë ndodh, atëherë loja ndërpritet dhe shorti hidhet sërish. Loja zhvillohet me disa raunde, natën dhe ditën, me akzua dhe hetime deri sa në fund fitojnë qytetarët ose mafia.

“Sot, në orën 21:15 nis episodi i parë. Një puntatë është 90 minuta. Shumë pak personazhe janë vetëm një puntatë në lojë, të tjerët do të jenë disa puntata në mënyrë që të provojnë edhe qytetarin, edhe policin, edhe mafiozin”, thotë Ardit Roshi, moderatori i emisionit.

Top Channel