F1, zëra për “divorcin” Red Bull-Renault

18/02/2014 18:20

Rezultatet shumë të dobëta të arritura në testime nga Red Bulli kanë bërë që të qarkullojnë gjithmonë e më shumë zëra për një ndarje të mundshme të skuadrës austriake nga prodhuesit e motorëve “Renault”.

Pak ditë më parë, një gazetë arriti deri aty sa të publikonte lajmin se presidenti i Red Bullit, Dieter Mateschitz po vlerësonte mundësinë që të ngrinte vetë infrastrukturën për prodhimin e motorëve të skuadrës së tij.

Megjithatë, këshilltari sportiv i Red Bullit, Helmut Marko, në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild” mohoi gjithçka: “Kemi një kontratë me Renault deri në vitin 2016, e cila është e lidhur me rezultatet që arrijmë në Botëror, por për momentin kemi të gjithë qëllimin që ta respektojmë atë”.

Në një deklaratë të dhënë njëkohësisht, drejtori i operacioneve “Renault”, Remi Taffin tha: “Nuk di asgjë për këtë. Aktualisht, po punojmë ngushtërisht me anëtarë të skuadrës Red Bull dhe skuadrave të tjera në bazën tonë në Viry, për të përmirësuar rendimentin e motorit”.

Pavarësisht këtyre deklaratave, vendimtare për të ardhmen e bashkëpunimit Red Bull-Renault mund të jenë testet e Bahreinit, të cilat nisin ditën e mërkurë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA