Egjipt, grupi islamik pas sulmit

18/02/2014 00:00

Grupi militant islamik Ansar Bayt al Maqdis ka deklaruar se është
përgjegjës për sulmin me bombë ndaj autobusit të turistëve në
gadishullin e Sinait.

Grupi paralajmëroi se sulmi është pjesë e “luftës ekonomike” kundër autoriteteve aktuale egjiptiane, të cilat i cilëson si “tradhëtare”.

Tre shtetas koreanë dhe një egjiptian mbetën të vrarë nga sulmi i ditës së diel.

Rendi dhe ligji në gadishullin e Sinait kanë marrë tatëpjetën që kur presidenti Hosni Mubarak ra nga pushteti në vitin 2011.

Gjithashtu, militantët kanë avancuar sulmet e tyre pasi presidenti Mohamed Morsi u rrëzua gjithashtu nga një grusht shteti ushtarak vitin e kaluar.

Në një deklaratë, Ansar Bayt al Maqdis deklaroi se kishte qenë pikërisht një nga anëtarët e grupit që kreu sulmin me bombë.

“Me vullnetin e Zotit ne do të mbikëqyrim këtë bandë tradhtarësh dhe do të godasim interesat e saj ekonomike”, deklaroi grupi.

Ky ishte sulmi i parë ndaj turistëve në pothuajse një dekadë në Egjipt, duke ngritur frikën se militantët i janë rikthyer fushatës së terrorit ndaj sektorit të turizmit.

Autobusi thuhet se ishte drejtuar për në Izrael nga manastiri i Shën Katerinës, një destinacion turistik mjaft popullor pranë malit të Sinait, në momentin kur u sulmua.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut deklaroi të hënën se autobusi përmbante 31 turistë, plus dy udhërrëfyes, dy koreanë dhe tjetri egjiptian.

Top Channel