
Champions League rikthehet sërish me spektaklin e garantuar, duke nisur nga e marta dhe e mërkura e kësaj jave, me nga dy çifte dueluese në ditë, të vlefshme për raundin e 1/8-ave.
Kampionët në fuqi të Bayern Munchen dhe anglezët me shumë shpresa për këtë vit, Arsenal, janë dy ekipe që do t’u rikthehen sfidave të përbashkëta mes tyre, duke qenë se janë ndër përfaqësuesit e dy shteteve me nga 4 skuadra në këtë raund (Angli, Gjermani), ndërkohë që Spanja (3 ekipe), Franca, Greqia, Italia, Rusia dhe Turqia plotësojnë kuadrin e 16-sheve.
Kujtojmë se 4 çiftet e tjera të këtij raundi do të zhvillojnë ndeshjet e tyre, sërish në dy ditë të ndara, pikërisht më 25 dhe 26 Shkurt.
Ndeshja e ditës: Manchester City-Barcelona
Të dyja këto skuadra do të përpiqen të hedhin një hap përpara drejt çerekfinaleve të Champions-it. Anglezët e City-t kanë treguar një qëndrueshmëri të theksuar nën drejtimin e Manuel Pellegrini-t këtë sezon, si dhe mund të krenohen me veten e tyre për shkak se janë i vetmi ekip në kontinent, që janë ende në garë në 4 kompeticione. Edhe pse nuk kanë arritur kurrë më parë në Champions deri në këtë fazë, ata janë të sigurt se ecurinë pozitive në Premier League do ta vijojnë edhe në Europë kundër kundërshtarëve spanjollë, me të cilët kanë arritur 2 fitore dhe 2 barazime. Sa i përket formacionit, duket se ata përshtaten mirë edhe pa Sergio Aguero-n, Fernandinho-n dhe Matija Nastasic, siç tregoi edhe fitorja 2-0 për Kupën FA kundër Chelsea-t. Ndërsa kur flitet për Barcelonën, bashkë-kryesuesit e La Liga-s duken se janë rikuperuar nga një nisje e vaktë e këtij viti, të ndihmuar kryesisht nga rikthimi në formën më të mirë të Lionel Messi-t. Sulmuesi argjentinas shënoi 2 gola në fitoren 6-0 ndaj Rayo Vallecano-s në fundjavë, ku shënoi pas rikthimit nga dëmtimi edhe Neymar.
Të martën luhet gjithashtu edhe dueli Bayer Leverkusen-Paris Saint-Germain. Edhe pse u shfaqën tepër impresivë në pjesën e parë të sezonit, Leverkusen ka humbur shumë nga shkëlqimi i tyre gjatë javëve të fundit, teksa do të përballen me PSG-në, pas dy humbjeve të pësuara radhazi në fushën e tyre. Fillimisht u mposhtën 1-0 në kohën shtesë nga Kaiserslautern, për Kupën e Gjermanisë, në mesjavën e kaluar, ndërsa më pas të besuarit e Sami Hyypia u dorëzuan 2-1 përballë rivalëve të Schalke 04, sërish në arenën e tyre, gjë që e ka dobësuar tashmë zotërimin e vendit të dytë në Bundesligë. Përkundrazi, PSG janë duke shkëlqyer në të gjitha aspektet, duke qëndruar 5 pikë përpara Monaco-së në Ligue 1, dhe, bazuar mbi ekipin e tejmbushur me yje, ata vazhdojnë të kenë ambicie gjeniale për të fituar trofeun më prestigjioz të Europës. Si çerekfinalistë të vitit të kaluar, francezët do të shpresojnë për një tjetër performancë pozitive nga ana e suedezit Zlatan Ibrahimovic, i cili deri më tani ka shënuar plot 19 gola në kampionat, vetëm në sezonin 2013-14.
E mërkura, me më shumë trofe: Milan e Bayern në fushë
Si përfaqësuesi i fundit i Italisë në Champions League, pavarësisht se gjendet në mesin e tabelës së Serie A, Milan ka ende shpresa për të surprizuar, dhe kjo falë formës në rritje të Mario Balotelli-t. Sulmuesi i paparashikueshëm, ndonjëherë mund të mos shfaqet aspak në një ndeshje, por ai është po aq i aftë të shkaktojë momente të jashtëzakonshme me magjitë e tij, siç ndodhi edhe me golin prej 32 metrash, në fitoren 1-0 ndaj Bologna-s, të premten. Nga ana tjetër, Atletico Madrid kërkon të rikthehet në rrugën e duhur, pas 3 humbjeve radhazi, nga të cilat dy kundrejt rivalëve të Real Madrid për Kupën e Mbretit. E bënë këtë gjë pikërisht me Real Valladolid, në La Liga këtë fundjavë, duke fituar 3-0 dhe duke qëndruar sërish si bashkë-kryesues me pikë të barabarta me Real dhe Barça në kampionat. Por, në Champions, përveç se një ekip pa shumë eksperiencë, krahasuar me rivalët me të cilët do të ndeshet, do të bëjnë edhe pa mbrojtësit anësorë Filipe Luis dhe Javier Manquillo, ashtu sikurse dhe pa mesfushorin portugez Thiago.
Në fakt, vëmendja gjatë ditës së mërkurë do të jetë e fokusuar në Londër, aty ku pritet me ankth të madh përballja spektakolare mes Arsenalit dhe Bayern Munchen, dy ekipe që u përballën me njëri-tjetrin në të njëjtën fazë të sezonit të kaluar, atëherë kur gjermanët fitonin 3-1 në “Emirates”, ndërsa “topçinjtë” mposhtnin bavarezët 2-0 në “Allianz Arena”. Gjigantët e Bundesligës, kaluan më tej falë rregullit të golit në fushë kundërshtare, por arritën të ngrinin trofeun në “Ëembley”, duke mbetur po ai ekip i frikshëm që prej atëherë. Me lehtësinë që të jep një kryesim prej 16 pikësh në Gjermani, Bayern do të udhëtojë drejt Anglisë me mungesat e Franck Ribery dhe Xherdan Shaqiri, por trajneri Pep Guardiola ka disa opsione të mundshme për t’i zëvendësuar, duke përfituar kryesisht nga forma e shkëlqyer që po kalon Thiago Alcantara. Në anën tjetër, Arsenal, që gjendet vetëm 1 pikë larg kryesuesve të Chelsea-t, ka vuajtur disi së fundi, kjo për shkak të kalendarit të ngjeshur që ka pasur përpara: Dy takime me Liverpool, një me Manchester United në hapësirën e 1 jave, përpara se të përballeshin me kampionët e Europës, ndeshje këto që dhuruan 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje për “topçinjtë”.
Lojtari për t’u vëzhguar: Yaya Toure
Gjithnjë mes titullarëve të padiskutueshëm të Manchester City-t, mesfushori Yaya Toure, i cili ka shënuar 15 gola në 34 ndeshje deri tani, ka qenë një nga forcat inspiruese të ekipit të tij deri në këtë fazë të sezonit. Por, ish-lojtari i Barcelonës pret një ritakim emocionues me ish-ekipin e tij. “Është shumë e vështirë të luash ndaj ish-shokëve të tu, madje të rikthehesh në ‘Camp Nou’ si kundërshtar”, tha lojtari i Bregut të Fildishtë, i cili ka qenë gjithashtu një nga titullarët kryesorë edhe te gjigantët katalanas gjatë viteve 2007-2010. “Nuk do të doja të ndeshesha me Barcelonën në këtë moment. Mbi të gjitha sepse atje luan Messi, i cili përbën një tjetër problem. Për mua ai mbetet më i miri”.
Statistikat e Champions – kualifikohen kryesisht udhëtuesit
61,4% – Që kur Champions League është zhvilluar me formatin aktual, përfshi edhe ndërrimin e emrit të këtij kompeticioni, janë zhvilluar 140 përballje me eliminim direkt, prej të cilave 86 janë fituar nga ekipet që ndeshjen e parë e kanë zhvilluar në transfertë dhe të dytin në fushën e tyre.
Shprehja e javës: Seedorf, trajner i Milanit
“Gjatë karrierës sime si lojtar, nuk kam qenë kurrë fans i atyre ekipeve që kanë pritur mbrapa, për të kundërsulmuar”, një sinjal ky që do të thotë se Milan do të sulmojë ndaj Atletico Madrid? A do arrijë ta ndryshojë vërtet Seedorf trendin e skuadrave italiane, të cilat dominojnë falë taktikave të tyre mbrojtëse e kundërsulmuese?
Transmetimin e përballjeve të raundit të 1/8-ave të Champions League mund ta ndiqni në kanalet Supersport2/HD2 (City-Barcelona) dhe Supersport3/HD3 (Leverkusen-PSG) të paketës dixhitale Digitalb, duke nisur nga sonte në mbrëmje, ora 20:45.
Top Channel