Capello shuan debatin: Conte është i zoti

18/02/2014 00:00

“Conte po bën një punë të shkëlqyer, po tregon gjithë vlerat e tij si trajner. Çdokush drejton grupin e lojtarëve ashtu si beson se është mënyra më e mirë dhe unë nuk kam thënë kurrë se jam kundër vendimeve të marra prej tij”.

Me këtë deklaratë, të lëshuar nga Rusia për “Sky Sport” Fabio Capello mundohet të shuajë polemikën e ndezur së fundmi në distancë me trajnerin e Juventusit, Antonio Conte.

Më tej, Don Fabio sqaron se ka patur një keqinterpretim të deklaratës së tij të lëshuar pas ndeshjes Verona-Juventus, e përfunduar me rezultatin 2-2 dhe e shndërruar në shkak që Conte t’u hiqte ditën e pushimit futbollistëve të tij si kundërpërgjigjje e rezultatit ‘negativ’ të arritur në fushë.

“Nuk është se e sulmova për këtë, apo që s’e miratova. M’u drejtua një pyetje dhe unë u përgjigja që s’jam për metoda ndëshkuese në trajnim. Nuk më pëlqejnë që njerëzit të ndëshkohen për një gabim të vogël. S’e kam bërë kurrë”, thotë ai.

Conte u kundërpërgjigj deklaratave të ish-trajnerit të Juventusit se për suksesin e metodave të tij flasin rezultatet në fushë, ndërsa në krah të trajnerit të bardhezinjëve është mbrojtësi Leonardo Bonucci.

“Ky Juventus është një skuadër që respekton trajnerin dhe ky është fati ynë” tha ai.

Por ish-drejtuesi i bardhezinjëve, figura qëndrore e skandalit “Calciopoli”, Moggi del hapur kundër Conte-s dhe mbështet Capello-n. Rezultatet e dy skuadrave, të Juventusit të Don Fabio-s dhe të Juventusit të Conte-s janë në të njëjtën linjë, por për “Don Lucianon”…

“Dhjetë ndeshje të luajnë, të dhjeta Juventusi i Fabio Capello-s do t’i fitonte ndaj Juventusit të Antonio Conte-s”, thotë ai.

Top Channel