
Sfida me Atletikon e Madridit e gjen Milanin jo në momentet e tij më të mira. Megjithatë kuqezinjtë do të luajnë shanset e tyre dhe nën mëngë kanë një as, Mario Balotelli-n.
Sulmuesi thotë se mezi po pret ndeshjen dhe se për të luajtur në “Champions” do të sakrifikonte edhe duke u rreshtuar në portë.
“Jam i kënaqur që jam pjesë këtë vit, sepse vjet e pashë nga tribuna. Dua të jem një ndihmë më shumë për skuadrën”, thotë ai.
Për Mario-n numri i golave të shënuar kundër skuadrave spanjolle është zero dhe për këtë ai thotë se Atletiko është mundësia më e mirë për ta ndryshuar këtë shifër.
“Nuk u kam shënuar kurrë skuadrave spanjolle dhe ky është një motivim më shumë”, deklaroi ai, duke u sqaruar më pas edhe presionet që ka, që sipas tij nuk lidhen me atë se cfarë ndodh në fushë, por me atë se cfarë ndodh jashtë saj, që s’ka lidhje me futbollin.
Balotelli sqaroi edhe një deklaratë të mëherëshme, ku shprehu dëshirën që në krah të tij në sulm të luajë Pazzini.
“Thashë vetëm të vërtetën. Kur luajmë bashkë ose ai ose unë shënojmë, është thjeshtë një statistikë”, vlerësoi ai, duke shprehur në fund dëshirën që ish-skuadra e tij, Manchester City të fitojë ndaj Barcelonës në takimin e së martës.
Milani pret të mërkurën në mbrëmje Atletikon e Madridit.
Top Channel