Venezuela përzë 3 zyrtarë amerikanë

17/02/2014 00:00

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka përzënë nga vendi tre konsuj amerikanë duke i akuzuar se kanë takuar studentë të përfshirë në protestat anti-qeveritare.

Maduro nuk bëri të ditur emrat e zyrtarëve amerikanë të përzënë, por tha se ministri i jashtëm do të jepte detaje në ditët në vazhdim.

“Ka një grup funksionarësh amerikanë të cilët prej dy muajsh organizojnë takime në universitetet private me studentë të ndryshëm. Venezuela nuk merr urdhra nga askush”, tha Maduro.

Të shtunën, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, theksoi nëpërmjet një komunikate se është i shqetësuar mbi rritjen e tensionit në Venezuelë: “Jemi të alarmuar nga raportimet për arrestimet e protestuesve anti-qeveritarë dhe për urdhër-arrestin ndaj Leopoldo Lopez.”

Vendi amrikano-latin ka pasur një rritje të tensionit politik muajin e fundit, me tre persona të vdekur në përleshjet me policinë gjatë protestave.

Një urdhër-arresti është lëshuar për liderin e opozitës Leopoldo Lopez, i cili është zotuar se do të udhëheqë një marshim të madh në muajin mars në kryeqytetin Karakas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA