Tetë persona, përfshirë këtu tre diplomatë, po hetohen nga autoritetet në Greqi nën dyshimin e shkeljeve financiare përmes akteve të bamirësisë.
Ish-shefi i shoqatës së bamirësisë, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, dhe bashkëshortja e tij janë mes personave të përfshirë në këtë hetim që zgjat prej kohësh nga autoritetet helene.
Akuzat lidhen me 9 milionë euro që i janë dhënë OJQ-së mes viteve 2000-2004 nga Ministria e Jashtme greke. Policia dyshon se fondi, i dhënë për të hequr minat në fushat e Bosnje e Hercegovinës, Irakut dhe Libanit ishte siguruar ilegalisht.
Hetuesit besojnë se organizata nuk plotësonte kriteret për marrjen e fondit. Zyrtarë të vjetër që në atë kohë punonin në Ministrinë e Jashtme greke dhe dikasterë të tjerë, janë përfshirë në këtë skandal, raporton agjencia helene e lajmeve “ANA-MPA”.
Tetë të dyshuarit përballen me akuzën e përvetësimit ilegal të parave të taksapaguesve. Në bazë të ligjeve greke, 25 për qind e fondeve për fondet e zhvillimit duhet të jepen në formë bamirësie për t’i mundësuar qeverisë që të mbulojë pjesën e mbetur të shumës.
Por policia u tha gazetarëve se stafit që po punonte në tetë projekte iu kërkua të kthente 20 deri në 30 për qind të rrogave të tyre si kontribute për të siguruar vazhdimin e financimeve.
Të dërguarit e mediave ndërkombëtare në Athinë deklarojnë se ndaj autoriteteve helene po ushtrohet presion që të ndërmarrin veprime ndaj evazorëve dhe mashtruesve, në një kohë kur njerëzit e zakonshëm detyrohen të “shtrëngojnë rripin” si pjesë e masave anti-krizë, ndërsa klasa politike mbetet e korruptuar.
Top Channel