
Piloti i dytë i avionit etiopian, të rrëmbyer me 202 pasagjerë, kishte njoftuar vetë autoritetet. E vetmja akuzë, që mund të rëndojë mbi të, është ajo e pengmarrjes, për të cilën mund të dënohet me 20 vjet burg.
Avioni u nis nga Adis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë, në orën 00:30 me orën lokale (22:30 me orën tonë) dhe do të mbërrinte në Romë në orën 04:40 minuta. Por, “Boing 767 – 300” bëri një ulje të devijuar në Gjenevë të Zvicrës, në orën 6:00, mëngjesin e së hënës.
Piloti i dytë, i datëlindjes 1983, që përfundoi në pranga, priti momentin kur piloti i parë të dilte nga kabina dhe menjëherë u kyç brenda saj. Ishte i paarmatosur. Kërkesa e tij ishte ajo për azil politik në Zvicër.
Përmes një deklarate, kompania “Ethiopian Airlines”, deri tani me një reputacion shumë të mirë, shpjegoi se 202 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë shëndoshë e mirë.
Motivi i pengmarrjes së etiopianit 31-vjeçar ishte frika e persekutimit në vendin e tij.
Siç shkruan BBC, dhjetra pjesëtarë të grupit “ONLF” kanë kërkuar azil politik në Perëndim, apo në vendet fqinje dekadën e kaluar, për t’u shpëtuar trazirave në rajonin Ogaden, në kufi me Somalinë.
Por, nuk janë të paktë edhe etiopianët, që vendosin të braktisin vendin për arsye ekonomike, sepse shumica jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë.
***
Një avion i Ethiopian Airlines, i nisur nga Adis Abeba për në Romë, bëri ulje të detyruar në Gjenevë të Zvicrës, veprim ky i parë fillimisht me çudi, vetëm për t’u zbuluar më pas se bëhej fjalë për një rrëmbim.
Autori i gjestit ekstrem ishte piloti i dytë i mjetit, i cili siç shpjegoi më pas për policinë, kishte pritur deri sa piloti kishte lëvizur nga kabina e më pas qe mbyllur brenda.
Arsyeja e veprimit të tij ishte pretendimi për azil në Zvicër. Në vend të kësaj, gjithë çfarë ka marrë kanë qenë hekurat e qelisë.
Linja ajrore sqaroi në një deklaratë të saj se 202 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bordin e avionit janë të gjithë shëndoshë e mirë. Incidenti detyroi mbylljen e përkohshme të aeroportit të Gjenevës. Piloti i arrestuar ishte i datëlindjes 1983. Ai pretendon se e kërkonte dëshpërimisht azilin për shkak të frikës së persekutimit në Etiopi.
31-vjeçari nuk ishte i armatosur e për asnjë moment nuk ka përbërë rrezik për ekuipazhin apo pasagjerët. Madje, situata ka qenë aq e qetë sa ata vetë nuk kanë mësuar gjë për rrëmbimin deri në momentin e mbërritjes së forcave të policisë, të njoftuara nga piloti kryesor i avionit.
Top Channel