Komedia franceze në Teatrin e Durrësit

17/02/2014 00:00

Është shfaqur me sukses në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit komedia “Loja e dashurisë dhe rastësisë”.

Premiera është mirëpritur për batutat, mesazhin e triumfit të dashurisë mbi arsyen, si dhe thyerjen e barrierave sociale që shpesh mbajnë peng ndjenjën e bukur dhe fisnike.

Komedia që vjen për herë të parë në Shqipëri me regji të Hervin Çulit është shkruar në fillim të shekullit XVIII nga dramaturgu francez Pjer dë Marivo dhe vjen nën interpretimin e aktorëve Adelina Muça, Besmir Bitraku, Eralda Çaushi, Xheni Fama, Amos Muji Zaharia dhe Marko Bitraku i teatrit të Korçës.

E përzgjedhur me dëshirën e njohjes dhe afrimit të publikut me teatrin dhe kulturën franceze, “Loja e dashurisë dhe rastësisë” sjell karaktere dhe situata që ndërthurin romantiken me komiken në një realitet kohor që ndonëse i largët vjen i përditësuar këndshëm përmes batutës dhe dilemave që ngjall ndjenja.  

Komedia, që zgjat pak më shumë se dy orë, do të shfaqet edhe fundjavat e ardhshme në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për të udhëtuar më pas drejt Tiranës.

Top Channel