
Pas një takimi, që zgjati një orë e gjysmë, presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano, ngarkoi sekretarin e Partisë Demokratike, Matteo Renzi, për krijimin e qeverisë së re italiane. Ky i fundit pranoi me rezervë, siç është proçedura e zakonshme.
Po sipas protokollit, kryeministri i ngarkuar dha një deklaratë të shkurtër, gjatë së cilës bëri përshtypje qëndrimi i përmbajtur dhe toni i zërit më serioz se zakonisht.
Ai garantoi angazhimin dhe energjinë maksimale për të përballuar këtë sfidë. Matteo Renzi-t do t’i duhen disa ditë, për të krijuar skuadrën e ministrave dhe për të hartuar një program të detajuar.
Program, për të cilin ai dha afate të caktuara: në Shkurt, reformat institucionale; në Mars, çështjet e punës; në Prill, Administrata Publike; dhe në Maj, çështjet fiskale.
Një reformë në muaj, një shpëjtësi që reflekton karakterin e kryeministrit të ngarkuar. Ai njihet për energjinë dhe tendencën për të vepruar. Shpejtësia është një prej karakteristikave të tij. Për të, më mirë të gabosh, se sa të mos veprosh.
Këto ditë, gjatë konsultimeve dhe takimeve për krijimin e qeverisë së re dhe programit të saj, Renzi do të përballet me disa të panjohura, që mund t’i vijnë si nga e djathta, ashtu edhe nga ndonjë fraksion në gjirin e partisë së tij të majtë.
Do të ketë rast, këtë herë, të ndjekë në nivelet më të larta thënien e tij të preferuar: “Dëgjoj të gjithë, por vendos unë”.
Itali, Renzit i kërkohet të formojë qeverinë
Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, i kërkoi Matteo Renzit, kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryebashkiakut të Firences që të formojë një qeveri të re.
Enrico Letta, njeriu që drejtoi Italinë nga zgjedhjet e Prillit 2013, deri këtë javë, dha dorëheqjen pasi Renzi inicioi një mocion mosbesimi për kabinetin e tij brenda partisë më të madhe të koalicionit qeverisës në vend.
Renzi, i cili nuk është zgjedhur kurrë më parë si deputet, duhet të gjejë tashmë një formulë, për të formuar një qeveri që do të ketë në radhët e saj edhe përfaqësues të aleatëve të koalicionit dhe shoqërisë civile.
Bisedimet do të nisin të martën dhe betimi i qeverisë së re mund të ndodhë që të enjten.
Renzi do të shndërrohet në kryeministrin më të ri të Italisë, duke qenë dy muaj më i ri se Benito Mussolini, kur ai mori detyrën e kryeministrit në vitin 1922.
Ndryshimi i qeverisë, ndonëse vjen në një moment të vështirë për ekonominë italiane, ka dhënë sinjale të mira në besimin e publikut.
Të hënën, në tregjet ndërkombëtare, interesi për huamarrjen nëpërmjet bonove me afat 10-vjeçar të maturimit ra në 3,64%.
Kryeministri Renzi zhvilloi për 90 minuta një bisedim kokë më kokë me presidentin Napolitano, me të cilin besohet se janë hedhur bazat e para për formimin e kabinetit.
Top Channel