
Amnistia për protestuesit anti-qeveritarë në Ukrainë ka hyrë në fuqi fill pas vendimit të tyre për t’i dhënë fund pushtimit të ndërtesave qeveritare, një prej kushteve të qeverisë për faljen.
Në faqen e internetit të Prokurorisë thuhet se pas kësaj levizjeje të opozitës, të gjitha akuzat penale ndaj demonstruesve do të rrëzohen. Disa prej godinave të kontrolluara prej tyre mbaheshin të bllokuara prej më shumë se 2 muajsh. Megjithatë, një tendë vazhdon të qëndrojë në sheshin qendror të Kievit si vendi i grumbullimit të protestuesve që kundërshtuan largimin prej ndërtesave qeveritare.
Një grup radikalësh nga radhët e tyre kanë zënë hyrjen e godinës së bashkisë pak pasi mbështetës të tjerë të opozitës u larguan prej saj.
Protestat në Kiev nisën në muajin nëntor për t’u përhapur më pas edhe në qytete të tjera të vendit, si pasojë e vendimit të presidentit Viktor Janukoviç për të mos nënshkruar marrëveshjen e asociimit me Bashkimin Europian.
Në vend të kësaj, kreu i shtetit ukrainas preferoi përarfrimin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë që e ka dominuar këtë vend prej shekujsh deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Pushtimi dy-mujor i bashkisë mori fund të dielën pas lëshimeve të ekzekutivit që liroi protestuesit e ndaluar.
Liderët opozitarë e bënë megjithatë të qartë se demonstratat masive nëpër rrugë nuk do të marrin fund deri në dorëheqjen e presidentit Viktor Janukoviç. Lehtësimi në dukje i tensioneve ndodh ndërsa autoritetet ukrainase i liruan 234 të burgosurit, të gjithë pjesëmarrës në protesta. Lirimi i tyre u bë në kuadrin e një ligji për amnistinë që u miratua muajin e kaluar.
Top Channel