Ukrainë, lirohen ndërtesat qeveritare

16/02/2014 00:00

Protestuesit në Ukrainë i dhanë fund pushtimit të Bashkisë së Kievit dhe ndërtesave të tjera në kryeqytetin e vendit, si dhe hoqën të gjitha barrikadat.

Për më shumë se dy muaj, të pakënaqur me vendimin e presidentit Viktor Yanukovych, për anulimin e marrëveshjeve me Bashkimin Europian, ata vunë nën kontroll ndërtesat qeveritare.

Zyrtarët ukrainas premtuan se do të rrëzojnë akuzat kundër demonstruesve, nëse ata do të dilnin nga ndërtesat qeveritare, deri të hënën. Udhëheqësit e protestuesve thanë se tashmë janë përmbushur kushtet e qeverisë për amnistinë.

Ambasadori i Zvicrës në Kiev hyri në ndërtesat, tashmë të boshatisura, për të ndihmuar në transferimin e kontrollit të tyre tek autoritetet e vendit. Zvicra, aktualisht, mban presidencën e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, OSBE.

Të premten, autoritetet lanë të lirë të paktën 243 persona, të cilët u arrestuan gjatë trazirave. Në fillim të këtij muaji, presidenti Yanukovych miratoi ligjin e amnistisë dhe pranoi të bisedonte me opozitën, pas vrasjes së katër protestuesve.

Në fundjavë, disa prej anëtarëve të opozitës vazhduan thirrjet për largimin e tij dhe pritet të zhvillohet një protestë në sheshin e “Pavarësisë” në Kiev.

“Tema e vetme e diskutimit me Yanukovych është largimi i tij”, u shpreh kështu, të shtunën, ish-udhëheqesja, tashmë e burgosur, e Ukrainës, Julia Timoshenko.

Siç tha ajo, “Yanukovych është totalisht nën kontrollin e Vladimir Putin, mbështetësi i tij më i madh ndërkombëtar”.

Top Channel