Superiore, Tirana fiton edhe në Ballsh

16/02/2014 00:00

Tirana vazhdon ecurinë e saj pozitive, drejt misionit të shpëtimit këtë sezon, nga rënia nga kategoria.

Bardheblutë kanë mundur të dalin me 3 pikë nga fusha e vështirë e Ballshit. Në një ndeshje të ashpër fizike, ku nuk kanë munguar edhe dëmtimet, siç ndodh shpesh përballë Bylisit, bardheblutë, në pjesën e dytë, pas disa rasteve të shpërdoruara, gjejnë golin me një tjetër blerje të merkatos dimërore.

Morina i dhuron një asist, me portën e boshatisur, Ndikumanes, i cili nuk gabon, ndërkohë që për vendasit, kjo ka qenë një ndeshje vërtet shumë e dobët, pasi për asnjë rast nuk vunë në vështirësi Tiranën, që shkonte në Ballsh me 4 mungesa.

Ndërkohë, Besa nuk njeh rivalë. Ecuria e tyre pozitive nuk ka ndalur as përballë Kukësit, të madh të letër, pasi në fushë janë vendasit kavajas që dominojnë e që shënojnë dy gola.

Argjend Mustafa, në minutën e 23, dhe Mancaku, në fundin e ndeshjes, gjunjëzojnë dhe thellojnë krizën te kuksianët, të cilët duket se janë futur në një udhë pa kthim, ndërsa Besa ngjitet në vendin e katërt, në kuotën e 28 pikëve.

Flamurtari nuk ka mundur të shkojë më shumë se barazimi 1-1 përballë Laçit, në fushën e tij. Skuadra vlonjate nuk e ka filluar mirë periudhën pas fazës përgatitore dhe rezultatet e tregojnë.

Erjon Vucaj shënon një supergol dhe kalon laçianët në avantazh, ndërkohë në mbyllje të 45 minutave Telushi i kundërpërgjigjet më të njëjtën monedhë laçianëve, me një tjetër eurogol. Ky barazim mban Laçin në pozita kreu, në vendin e tretë, ndërsa vlonjatët mbeten në kuotën e 21 pikëve, në vendin e shtatë.

Top Channel