Real nuk ndahet nga Barca-Atletico

16/02/2014 00:00

Real Madrid përgjigjet në mënyrën më të mirë ndaj Barcelonës dhe Atletico Madrid, ekipe që fituan ditën e shtunë ndaj Vallecano-s dhe Valladolid, duke rimarrë kreun e ndarë në tresh, falë suksesit 3-0 në Madrid, në stadiumin e Getafe-s, për javën e 24 të La Liga-s.

Skuadra e Ancelotti-t, edhe pse pa Cristiano Ronaldo-n e skualifikuar, i beson Benzema-së, Bale dhe Jese në sulm, teksa pikërisht ky i fundit zhbllokoi rezultatin në minutën e 5, francezi dyfishoi në të 27-tën, ndërsa Modric mbylli gjithçka në të 66-tën minutë.

Në ndeshjet e tjera të kampionatit spanjoll, Granada fitoi 1-0 me Betis, Espanyol 2-1 me Bilbao, teksa ka nisur të luhet sfida mes Sevilla-s dhe Valencia.

Në mesjavë, për Barçën dhe Atletico Madrid do të rikthehen impenjimet për Champions League, respektivisht kundër Manchester City (të martën) dhe Milan (të mërkurën), ndërkohë që Real Madrid do të ndeshet me Schalke 04 të martën e ardhshme, më 26 Shkurt.

Top Channel