Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel propozoi krijimin e një rrjeti të përbashkët europian të internetit, për të përmirësuar mbrojtjen e të dhënave.
Nëse kjo do të ndodhë, do të bëhet e mundur shmangia e kalimit të emaileve dhe të dhënave të tjera nëpërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një fjalim të përjavshëm adresuar kombit, Merkel theksoi se do të bisedojë këtë ide të mërkurën me Presidentin e Francës, Francois Hollande.
Zbulimi i aktivitetit të plotë të Agjensisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) në SHBA ka ngjallur një shqetësim të madh në Europë.
Pas zbulimeve të Edward Snowden, marrëdhëniet e Gjermanisë me SHBA-në u dëmtuan ndjeshëm kur u mësua se në listën e personave të vendosur nën përgjim kishte qenë edhe Kancelarja Merkel.
Sipas ekspertëve, midis shqetësimeve kryesore të Europës qëndron edhe mundësia e spiunimit të sekreteve industriale.
Top Channel