Egjipt, shpërthen autobusi i turistëve, 3 viktima

16/02/2014 00:00

Të paktën 3 persona, dy koreano-jugorë dhe një egjiptian, humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën, pas shpërthimit të një bombe në një autobus turistësh, në gadishullin e Sinait, pranë kufirit mes Egjiptit dhe Izraelit.

Ministria e Brendshme egjiptiane shpjegoi se autobusi, që vinte nga Manastiri i Shën Katerinës, një destinacion i famshëm turistik, ishte nisur për në Izrael, momentin kur ndodhi shpërthimi.

Megjithëse Ministria e Brendshme nuk përmendi shkaqet, dy burime të sigurisë egjiptiane, të cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, thanë se një bombë ishte vendosur ose brenda autobusit, ose pranë tij, në momentin kur ai po kalonte.

Një burim i ushtrisë tha se “ky është një sulm terrorist” dhe me termin terrorist i referohet militantëve islamikë.

Nëse vërtetohet se pas sulmit janë pikërisht militantët islamikë, kjo do të thotë se ata kanë ndryshuar shënjestër. Dikur ishin forcat e sigurisë, ndërsa tani turistët. Industria e turizmit, një prej shtyllave kryesore të ekonomisë egjiptiane, ka pësuar goditje nga trazirat dhe protestat e viteve të fundit.

Top Channel