Britania alarmohet nga xhihadistët

16/02/2014 00:00

Zyrtarë të lartë të sigurisë në Britani kanë shprehur shqetësimin për rikthimin e disa qindra xhihadistëve me shtetësi britanike të cilët kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe gjetkë, pasi dyshohet se ata mund të përgatisin ndonjë sulm terrorist të ngjashëm me atë në Mumbai të Indisë përpara disa vitesh.

Rreth 250 syresh janë rikthyer nga luftimet në Siri, Afganistan dhe Pakistan, një shifër që sipas tyre është pesë herë më e lartë sesa mendohej më parë. Zyrtarë të Shërbimit të Brendshëm Sekret MI5 dhe Policisë, sipas ‘The Sunday Times’ të Londrës, kanë interceptuar ndërkohë një komplot serioz të pretenduar nga xhihadistët e rikthyer në vjeshtën e kaluar. Pretendohet se komploti ishte për një sulm të ngjashëm si në Mumbai të Indisë kundër civilëve në një zonë të populluar.

Të rikthyerit nga luftimet janë nën monitorimin e shërbimeve të sigurisë, raporton ‘The Sunday Times’. Sipas një burimi të qeverisë britanike, të cilin e citon kjo gazetë e së dielës, rreth gysma e atyre që kanë shkuar në frontin e luftës tashmë janë rikthyer. Javën e kaluar u njoftua se videot ekstremiste që ndihmojnë në radikalizimin e të rinjve islamikë do të bllokohen nga interneti në Britani.

Home Office është në bisedime me kompanitë e faqeve në internet për të refuzuar aksesin për filmimet e dhunshme, duke praktikuar atë që po cilësohet “kontroll kufitar kibernetik”. Gjatë katër viteve të fundit autoritet britanike të sigurisë dhe anti-terrorizimit kanë hequr nga interneti rreth 21 mijë filmime me përmbajtje ilegale dhe terroriste.

Top Channel