Nga Reis Mulita – Për të gjithë shqiptarët është e dukshme dhe e ndjeshme se nën matshmërinë e treguesve socialë, ekonomikë dhe mjedisorë, territori i Shqipërisë është nën emergjencë. Përse përfaqësues të klasës politike ndiejnë ndryshe nga shoqëria? Për më tepër, në vend të alternativave konkurruese, prezantohen skenarë të gatshëm, madje perspektivë dhe disa herë të vuajtur nga shoqëria, ndërsa është momenti që vendi duhet të zhvillohet nën alternativa konkurruese dhe përparuese.
Territorin, si një të mirë publike dhe private, politikat dhe qeverisja e BE, e konsiderojnë dhe e përdorin si instrument për të arritur kohezionin ekonomik, social dhe mjedisor, për të ndërtuar shoqërinë e mirëqenies. Në interes të këtij misioni projektohen dhe realizohen edhe ndarjet territoriale-administrative, për t’u përdorur si instrumente politikëbërëse dhe veprimesh ekzekutive, për të afruar njerëzit, burimet dhe vlerat humane e natyrore në interes të shëndetit të vet shoqërisë dhe natyrës. E ushqyer nga filozofia dhe legjislacioni i decentralizimit politik dhe qeverisës, ndarja në fjalë synon të afrojë qeverisjen me komunitetet, të çojë shërbimet më afër tyre, dhe të përdorë në mënyrë maksimale territorin si burim mirëqenie shoqërore, duke u përkujdesur ndaj tij.
A e ka kryer këtë mision ndarja territoriale-administrative aktuale? Nëse po, atëherë duhet të vazhdojë kështu sikundër është, dhe nëse jo, një tjetër zgjidhje kërkohet. Duke qenë se ndarja aktuale nuk e ka realizuar misionin, një ndarje e re territoriale-administrative është më tepër se e domosdoshme. Për këtë arsye, përfaqësuesit e zgjedhur dhe qeverisësit duhet të ndërtojnë një ndarje të re sa më misionare, për ta bërë Shqipërinë pjesë të një realiteti afër treguesve të hapësirës së Bashkimit Europian.
Vendet e Bashkimit Europian kanë modele të ndryshme të ndarjeve territoriale e administrative, të ndërtuara nga shoqëritë respektive përgjatë udhëtimit të tyre, nën kushte të caktuara shoqërore, historike, të organizimit politik e qeverisës, përbërjes demografike, përbërjes etnike, fetare, të relievit dhe faktorëve të tjerë natyrorë. Për këtë arsye, teknikisht nuk mund të merret një model i gatshëm si më i miri për Shqipërinë. Në këto kushte, zgjidhja më e domosdoshme është ndërtimi i një ndarje territoriale-administrative në përputhje me filozofinë, objektivat dhe qëllimet mbi të cilat zhvillohet hapësira europiane, territori ku dëshirojmë të shkojmë të gjithë, rrugë për të cilën ka një vullnet mbarëshoqëror, madje mbarëshqiptar.
Për rrjedhojë politikëbërësve dhe qeverisësve së toku me shoqërinë i duhet të mbajnë qëndrim, të vendosin mbi argumente, përgjithësime shoqërore në kushte konkrete, në territore reale, në hapësira sociale dhe natyrore. Në ndihmesë të këtij vlerësimi, përsëris qëndrimin se duhet të shtohet autoriteti i qeverisjes qendrore, nën filozofinë e bashkëpunimit, autonomisë dhe “subsidiaritetit”, praktika të cilat i zbaton edhe qeverisja europiane. Nën këtë këndvështrim, shprehem kundër sloganit “konsensus”. Konsensusi është pjellë e krizës, pastabilitetit dhe konfliktualitetit.
Cila duhet të jetë filozofia e ndërtimit të hartës dhe ndarjes së re territoriale-administrative të Republikës së Shqipërisë?
Marrëveshja e arritur në takimin e Këshillit të Ministrave përgjegjës për Planifikimin Hapësinor në Potsdam në Maj të vitit 1999, “Perspektiva e zhvillimit hapësinor europian: Drejt zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm të territorit të Bashkimit Europian, si edhe “Axhenda 21”, e cila përcakton edhe parimet kryesore të përdorimit të territorit në një dimension global mbështetur në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duhet të jenë filozofia ku të mbështetet ndërtimi i hartës së re të ndarjes territoriale-administrative të vendit tonë. Nëse i referohem “Perspektivës së zhvillimit hapësinor europian”, vërehet se është model, i cili ofron një bashkëpunim më të mirë ndërmjet politikave sektoriale me ndikime domethënëse hapësinore, ndërmjet rajoneve dhe qyteteve të tyre, duke zbatuar tre objektiva themelore: kohezionin ekonomik dhe social, zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurrueshmërinë e territorit të BE-së. Marrëveshja në fjalë sjell në kujtesë një leksion të politikëbërësve të BE-së, për politikëbërësit tanë, këndvështrimin perspektiv të zhvillimit hapësinor të vendit. Objektivat e mësipërme përbëjnë edhe filozofinë për Strategjinë e Rritjes së Europës, për vitet 2020. Çfarë na pengon që edhe ne të ecim nën këtë mendësi?
Sipas dokumentit programatik të zhvillimit të BE-së, vërehet se objektivat duhet të zbatohen njëkohësisht, duke i kushtuar vëmendje ndërveprimit midis tyre, për të arritur një sistem më të balancuar dhe më multicentrik të qyteteve dhe një raport i ri urbano-rural, pariteti i aksesit në infrastrukturë, në njohuri dhe menaxhim dhe zhvillim i matur i trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Nëse ballafaqojmë qëllimet e mësipërme me realitetin e territorin administrativ në Tiranë dhe shumicën e qyteteve, e kemi vështirë të flasim për marrëdhënie ruralo-urbane, sepse kufij të tillë administrativë janë vetëm në letër, nuk janë funksionalë dhe nuk kontribuojnë për jetë të mirë të shoqërisë. Po kështu, edhe rrjetet e infrastrukturës publike, të rrugëve, ndriçimit, ujësjellësve dhe shërbimeve të tyre, telekomunikacionit, internetit, etj., kërkojnë një trajtim të ri territorial-administrativ, funksional dhe të mirë për komunitetet.
Duke folur për menaxhimin e trashëgimisë natyrore e kulturore, pa hezitim, mund të them se me ose pa dashje, dëmtimet që i janë bërë trashëgimisë, pas viteve 1990, nuk kanë mundur ta arrijnë as laboratorët e tjetërsimit dhe manipulimit të identitetit dhe vazhdimësisë së shqiptarëve në territorin mijëvjeçar, për të cilin kërkohet një ndarje e re administrative, misionare.
Ndryshimi i kufijve të ndarjes territoriale, së pari duhet konsideruar si ndryshim mendësie për funksionin dhe misionin i saj. Ndarja e re duhet të prishë stereotipin e autonomisë vendore si model parazitizmi, letargjie, përdorues i pushtetit dhe burimeve në mënyrë të pakufizuar, shpesh në kufijtë ekstremë të mureve mesjetare ose haneve pa porta. Kur përmend fjalën “territor”, në qendër të tij vendos shoqërinë. Kush e ka keqpërdorur këtë argument, minimalisht duhet të kontribuojë për të rregulluar gabimet, duke bashkëpunuar. Kërkohet hartimi i një projekti për shqiptarët dhe jo për keqpërdoruesit e burimeve dhe vullnetit të tyre.
Top Channel