Rënie e fortë e interesave

15/02/2014 00:00

Të kursesh para nuk është më një alternativë fitimprurëse si më parë. Të
dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se interesat kanë rënë
me ritme të forta deri në disafish, si për depozitat ashtu edhe për
letrat me vlerë të Qeverisë, dy instrumentat kryesorë, ku qytetarët
kanalizojnë kursimet e tyre.

Për bonot e thesarit me afat njëvjeçar interesat kanë rënë nga 7 për qind që ka qenë norma mesatare e viteve të fundit në 3.8 për qind aktualisht. Ndërsa për depozitat me të njëjtin afat, interesat kanë zbritur nga 5.85 për qind që ishin në fund të 2011-ës në 2.65 për qind nëntorin e vitit të kaluar. Kjo do të thotë se për çdo lekë të kursyer, një qytetar fiton aktualisht 2.2 herë më pak nga interesat.

Por kursimet njëvjecare nuk janë instrumenti i vetëm, që janë bërë më pak fitimrpurës. Shifrat tregojnë se edhe për afatet e tjera të maturimit interesat kanë ndjekur të njëtën trajektore. Një tendencë që ka nisur në fillim të vitit 2012, pas të cilës qëndrojnë një sërë arsyesh.

Së pari, përballë nevojës për të ndihmuar ekonominë në krizë, vetë banka qëndrore ka qenë e interesuar për të dekurajuar kursimin dhe nxitur konsumin e investimet. Për këtë arsye dy vitet e fundit ajo e ka ulur 7 herë me radhë normën bazë të interesit duke e çuar atë në minimumin historik prej 3 për qind. Por edhe më këtë ulje të fortë, që thuajse është përcjellë e plotë tek interesat e kursimeve, sërish konsumi dhe investimet vazhdojnë të bien. Sipas Bankës Qendrore, për shkak të pasigurive të larta që perceptojnë individët mbeten sërish të prirur drejt kursimeve edhe pse tashmë fitojnë shumë më pak të ardhura nga interesat se më parë.

Ekspertët: Mund të nxitet tregu informal i dhënies së kredive

Ekspertët thonë se rënia e normave të interesit për kursimet, përtej efekteve pozitive që ka për ekonominë, krijon edhe probleme në tregun financiar duke ndryshuar preferencat e individëve.

“Po shikohet në treg një lloj prirjerje e konsumatorëve, që po bëjnë zhvendosjen e fondeve nga depozitat nga bankë drejt letrave me vlerë të Qeverisë afatgjata, të tipit obligacione deri 10-vjeçare. Nëse kjo do të shndërrohet në një prurje të qëndrueshme, në një horizont të caktuar afatmesëm, kjo mund të fillojë të krijojë një lloj shqetësimi për bankat përsa i përket burimit të lira të finanimcimit”, thotë Elvin Meka, ekspert finance.

Por rënia e qëndrueshme e interesave të kursimeve për monedhën kombëtare mund të sjell edhe dy pasoja të tjera më negative, ku e para është ajo e e orientimit të investimeve në monedhë të huaj.

“Pra të mos t’i zgjedhin të investojnë në lek, por në Euro ose në dollar. Kjo do të përbënte një kosto shtesë brenda sistemit, pasi jo vetëm do ta vinte përballë trysnisë të zhvlerësimit të këmbimit, por dhe do të ishte një goditje ose më mirë do ta neutralizonte efektin e dëshiruar të politikës monetare”, thotë Meka.

Por përveç kësaj ekziston edhe një rrezik i dytë më i madh. Duke qenë në kërkim të normave më të larta të interesit, individët mund t’i drejtohen edhe tregut informal, një fenomen jo i panjohur vitet e fundit në Shqipëri.

“Kjo mund të çojë në probleme dhe konflikte sociale personale, midis huadhënësve dhe huamarrësve, por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me çështje të sigurisë të personit, të kthimeve të të ardhurave të tyre, njerëzit mund të priren në kërkim të kthimeve sa më të larta të japin hua në tregun informal, të cilat për shumë arsye mund të mos kthehen në kohë dhe kjo përbën problematika që dalin jashtë sferës të menaxhimit financiar”, tha Meka.

Në nëntor të vitit të kaluar, rritja vjetore e depozitave zbriti në 2.2 për qind, nga 7.2 që ishte një vit më parë, ndonëse një pjesë e këtij ngadalësimi është i lidhur edhe me rritjen më të ulët të të ardhurave familjare.  

Top Channel