
Një super gol i Mario Balotelli-t në minutat e fundit të takimit i dha tre pikët Milanit në ndeshjen hapëse të javës së 24 të Serisë A.
Kuqezinjtë luajtën të premten në mbrëmje në fushën e tyre përballë Bolonjës. Edhe këtë takim u pa paqartësia në sulm e skuadrës së Seedorf që megjithëse mundi të krijonte një volum loje të konsiderueshëm, rastet e pastra për shënim ishin të pakta.
Në minutën e 86, atëherë kur mendohej se takimi po i shkonte drejt barazimit, Balotelli me një goditje nga rreth 35 metra dhe diagonale befason portierin mik dhe i jep tre pikë mjaft të rëndësishme Milanit.
Pas kësaj fitoreje, kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 32 pikëve, po aq sa Lacio që ka një ndeshje më pak.
Ndërkohë sonte në mbrëmje luhet Fiorentina-Inter. Vendasit do kërkojnë fitoren për të mos humbur trenin për një vend në Ligën e Kampioneve, ndërsa zikaltërit janë në kërkim të pikëve për të patur shpresa për të njëjtin objektiv.
Top Channel