
Anija koreano-veriore e sekuestruar vitin e kaluar në Panama me armë të padeklaruara kubaneze në bord po kthehet në Kubë, ka njoftuar qeveria panameze.
Autoritetet e Kanalit të Panamasë deklaruan së fundmi se anija mund të largohej, pasi regjimi i Penianit pagoi rreth 700 mijë dollarë gjobë.
Ministria e Jashtme e Panamasë saktësoi se anija u nis për në Kubë të shtunën në mëngjes, raporton BBC në edicionin e saj online.
Mjeti lundrues u bllokua shtatë muaj më parë, i mbushur me armatime të epokës sovietike dhe avionë luftarakë të fshehur poshtë thasëve me sheqer.
Tre anëtarë të ekuipazhit mbetën gjithashtu të bllokuar nga autoritetet panameze për t’u përballur me akuzat për trafik armësh.
Kapiteni, oficeri i parë dhe zyrtari politik i anijes “Chong Chon Gang” përballen me dënime që shkojnë deri në 12 vjet burg. Ndërsa 32 anëtarët e tjerë të ekuipazhit u liruan pa akuza.
Sanksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndalojnë çdo vend që të furnizojë me armë Korenë e Veriut, për shkak të kapaciteteve të saj bërthamore.
Anija e mbushur me konteinerë u ndalua në afërsi të Manzanilos, në pjesën Atlantike të kanalit, më 15 korrik, nën dyshimin se po transportonte drogë.
Ajo u zhduk nga radarët për pak ditë teksa i afrohej kryeqytetit kubanez Havana, pasi ishte nisur nga bregu lindor i Rusisë tre muaj më herët.
Top Channel