Në një aksion të paralajmëruar të shtunën nisi lyerja e monumentit të pavarësisë, NEWBORN. Studentë të artit dhe arkitekturës, në mënyrë vullnetare janë angazhuar për ngjyrosjen e monumentit, i cili do të vishet me ngjyra ushtarake.

Në 6-vjetorin e pavarësisë së dhe 15-vjetorin e paqes në Kosovë, ideatori i NEWBORN, Fisnik Ismaili vendosi që me anë të këtyre ngjyrave të nderojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-n, për clirimin e vendit.

NEWBORN, si monument i pavarësisë nuk ka kujdes të vecantë nga institucionet e vendit. Për këtë arsye Fisnik Ismaili ka propozuar vendosjen e një kioske pranë monumentit, ku do të shiteshin suvenire të NEWBORN, në mënyrë që ato të ardhura të shërbejnë për mirëmbajtjen e kësaj vepre tashmë identifikuese për Prishtinën.

Në anën tjetër, çështja se a duhet  NEWBORN të ngjyroset cdo vit, ka ngritur shumë debate në rrjetet sociale. Në kundërshtimin e disa artistëve në Kosovë për ngjyrosjen e përvitshme të NEWBORN, autori i veprës, Fisnik Ismaili thotë se vetë qëllimi i monumentit ka qenë ndërhyrja, për çdo vit në këtë monument.

NEWBORN u vendos para Pallatit të Rinisë në Prishtinë  më 17 shkurt 2008, ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur, si simbol i rilindjes dhe tashmë është bërë fokus ifotografive të të gjithë turistëve në Kosovë.

Top Channel