Konsultimet për qeverinë e re në Itali

15/02/2014 00:00

Pas përfundimit të ditës së parë të konsultimeve me kryetarët e dy dhomave të parlamentit dhe me përfaqësuesit e grupeve të përziera, Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano po vazhdon takimet që duhet të mbyllen në mbrëmje.

Lëvizja Pesë Yjet e Beppe Grillos dhe Lidhja e Veriut kanë bërë të ditur se nuk do marrin pjesë në konsultime, ashtu siç nuk do të jetë i pranishëm Matteo Renzi, i cili nuk është deputet. Renzi ka shumë mundësi të ngarkohet që në mbrëmje nga kreu i shtetit për krijimin e qeverisë së re, pas dorëheëjes së pakthyeshme të Enrico Letta-s ditën e premte.

Gjatë konsultimeve të së shtunës presidenti Giorgio Napolitano do të ndodhet ballë për ballë edhe me senatorin e përjashtuar nga Parlamenti dhe të dënuarin për evazion fiskal, Silvio Berlusconi, i cili do të përfaqësojë partinë e tij “Forza Italia”. Ai ka vendosur të shkojë, megjithëse kjo krijon një pozitë të vështirë për presidencën.

Nga ana e tij Berlusconi i ka bërë urimet atij që mëndohet se do të jetë kryeministri i ri: “I bëj urimet më të mira Renzit, edhe pse kjo nuk është demokraci”, deklaroi ai në mbyllje të një takimi në Sardegna. Berlusconi shtoi se ai mbetet kryeministri i fundit i zgjedhur nga populli.

Në fakt qeveria e Renzit do të jetë e treta rresht që nuk ka dalë nga votimet, pas qeverisë së Mario Montit dhe asaj të Enrico Letta-s.

Top Channel