Ekstremistët e konsensusit

15/02/2014 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Duket sikur ka një kundërvënie titulli i mësipërm.
Konsensusi, si koncept, e përjashton apriori ekstremizmin. Por ja që ka
ekstremizëm edhe në predikimin e konsensusit. Aq më tepër kur kjo
kërkesë shpërfill rregullat e lojës, procedurat dhe ligjet në fuqi.

Prej javësh, mazhoranca dhe opozita debatojnë për një numër reformash. Nuk bien dakord për statusin e ri të nëpunësit civil, për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje, për menaxhimin e ekonomisë dhe financave. Krejt e kuptueshme. Palët bien ama dakord se duhet një reformë territoriale! Por vetëm në parim, pasi menjëherë sapo nis diskutimi rreth saj, PS e PD ndahen. Siç ka ndodhur në 15 vitet e fundit, për temën në fjalë.

Opozita po kërkon në këto orë që reforma territoriale të ndalë derisa të gjendet zgjidhja për një numër çështjesh të tjera, që nuk lidhen me të. Kontestohet akti normativ i qeverisë për nëpunësin civil dhe pretendohet se Komisioni Parlamentar i Reformës nuk garanton konsensus, pasi procesi mund të prishet në minutën e fundit nga mazhoranca, në momentin e votimit!

Më tej akoma, opozita e shtrin kërkesën për konsensus me të drejtë vetoje, edhe për probleme si AMA, apo kryeinspektorja e deklarimit të pasurive. Pak rëndësi ka, sipas saj, që këto institucione janë tashmë ose përtej afateve të mandatit të tyre, ose kanë pushuar së kryeri funksionet për të cilat janë krijuar. Opozita e ka vendosur konsensusin si një mjet unik dhe të panegociueshëm, megjithëse të gjithë e dinë dhe parimisht e pranojnë se vendi qeveriset jo me konsensus, por me Kushtetutë dhe me ligje.

Kjo sjellje shpërfill sot në fakt, atë që ka qenë përgjigjja klasike e Berishës ndaj opozitës së djeshme, sa herë që ajo kërkonte konsensus, ose më shumë të drejta brenda institucioneve. Ja një rast konkret. Sot PD paraqet amendime që synojnë barazimin e kohës parlamentare të diskutimit, duke bërë sikur e ka harruar sesi i përgjigjej kryeministri i djeshëm së njëjtës kërkesë të socialistëve në Kuvend. “Mendoni se ka dy qeveri, apo dy kryeministra?”, pyeste në atë kohë Berisha, duke shtuar se kreu i qeverisë nuk mund të ketë po aq kohë sa opozita për të folur, pasi “kështu ka vendosur Sovrani”. Një parim më se i drejtë, të paktën në letër. Por që sot duket se nuk vlen më, kur palët kanë ndryshuar pozicionet.

Ish-qeveria, e cila sot predikon konsensusin si të vetmin mjet komunikimi e vendimmarrjeje mes palëve, në katër e vjetët e fundit të jetës së saj i bëri jo rrallë bisht konsensusit. Edhe kur ai ishte më se i këshillueshëm, si në rastin e presidentit, apo të anëtarëve të munguar të KQZ-së. U soll në këtë mënyrë, edhe pse shifrat e ftonin të ishte shumë e kujdesshme, e pse jo edhe tolerante. Me katër mandate të marra borxh në verën e 2009-s, mandate të cilat ishin prodhuar nga vota që ishin hedhur kundër saj ditën e votimit, kjo ish-qeveri drejtoi e pashqetësuar vendin, siç deshi dhe si diti. Aq sa edhe kur numrat i ranë poshtë pikës zero, në pranverën e vitit të shkuar, bleu tre vota majtas për të vijuar qeverisjen, pa i shkuar as për një sekondë në mendje se ndoshta edhe mund të merrej vesh me kundërshtarin, në kushtet kur s’kishte më mazhorancë në Parlament.

Teksa sheh debatin për konsensusin “e detyrueshëm”, sot një votues i majtë ka të drejtë të pyesë se cila është diferenca mes 85 mandateve të mazhorancës dhe 55 mandateve të opozitës, nëse kjo diferencë jo e vogël shifrore bëhet zero, për shkak të “konsensusit me çdo kusht”? Vendi nuk qeveriset me konsensus, ai qeveriset me mekanizmin e votës. Dhe votat në Parlamentin aktual dihet nga cila anë kanë shkuar, falë vullnetit të zgjedhësve.

Kjo shumicë harxhoi mjaft energji, gjatë fushatës elektorale, ndër të tjera, edhe për të premtuar një reformë të thellë në sistemin e qeverisjes lokale. Bëhet fjalë për një zhvillim për të cilin ka nevojë e gjithë Shqipëria, pasi sistemi i rënduar dhe thellësisht korruptiv i qeverisësve vendorë, po i kushton tej mase financave të vendit, mjedisit dhe vetë zhvillimit ekonomik e social. Është e kuptueshme dhe normale dëshira e opozitës që të faktorizohet sa më tepër në jetën politike, por edhe që të maksimalizojë numrat që ka në Parlament. Në një aspekt ngushtësisht taktik, është gjithashtu e kuptueshme që opozita e sotme (si ajo e djeshme, me statusin e vendit kandidat në BE), të mos dëshirojë thellë-thellë që këtë proces ta udhëheqë dhe ta kurorëzojë eventualisht me sukses, pala tjetër, kundërshtarët politikë. Por gjithçka ka një limit. Dhe limitin e kanë vendosur zgjedhësit, kohë më parë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA