7 zhytës japonezë të zhdukur në Bali

15/02/2014 00:00

Ekipe indoneziane shpëtimi kanë kërkuar shtatë zhytës japonezë të zhdukur në ujërat e ishullit të Balit, në Indonezi, që prej ditës së premte.

Kërkimet për grupin, pjesë e të cilit janë edhe dy instruktorë, u ndërprenë të shunën në mbrëmje, me orën lokale, dhe do të rifillojnë të hënën në mëngjes.

Të shtatë personat, zhytës profesionistë, u zhdukën gjatë motit të keq, me erëra të forta dhe shira të dendura, teksa eksploronin një zonë rizoforesh.

Autoritetet indoneziane njoftuan se një helikopter ishte vendosur për të kërkuar trupat në rast se do të shfaqeshin në sipërfaqe, por deri në momentin e ndërprerjes së operacioneve nuk është gjetur asnjë prej tyre.

Grupi po bënte zhytje në afërsi të ishullit Nusa Penida, rreth 20 kilometra larg brigjeve të Balit. Zhytësit kishin zhvilluar dy seanca nën ujë ditën e premte, por pas të tretës nuk u kthyen më në hotelin e tyre.

Agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” citoi autoritetet të thoshin se të gjithë anëtarët e grupit ishin profesionistë, ndërsa instruktorët ishin vendas dhe e njihnin zonën.

Nusa Penida, një lokalitet i preferuar nga zhytësit për shkak të ujërave të kristalta dhe mundësisë për të parë peshq të rrallë, njihet për rrymat e tij të forta. Në të kaluarën atje kanë ndodhur një seri ngjarjesh fatkeqe.

Top Channel