Kosova shkon në zgjedhje. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe kryetari i opozitës Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës të premten në drekë kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku është biseduar lidhur me reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet e përgjithshme.

Sipas dy njoftimeve të dy partive, LDK dhe PDK, duket se qershori do të jetë muaji më i përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

“Biseduam që të bëhen përgatitjet e duhura në koordinim me subjektet e tjera dhe me vendim konsensual të Kuvendit të shkohet në zgjedhje të reja nga gjysma e këtij viti”, thuhet në një njoftim.

Të dy kryetarët e partive kanë kërkuar që përgatitjet e duhura të kryhen në koordinim me subjektet politike. Sipas njoftimit të LDK-së, në ditët në vijim pritet të zhvillohen takime edhe me liderët e subjekteve të tjera politike. Tashmë, Thaçi dhe Mustafa janë pajtuar për koordinimin e axhendës politike në muajt në vazhdim.

“U pajtuan që reforma zgjedhore të përfundohet nga komisoni parlamentar dhe qeveria brenda gjysmës së parë të muajit mars ta proçedojë për miratim në Kuvend. Po ashtu, u ra dakord që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për çfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE, etj”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare.

Në anën tjetër, Dardan Molliqaj nga lëvizja Vetëvendosje, takimet e LDK-së dhe AAK-së me kryeministrin Thaçi i ka cilësuar si të gabuara dhe të dëmshme. Sipas tij, takime të tilla janë shqetësuese, prandaj dhe kjo iniciativë ngre dilema për qëllimin e AAK-së të Hradinajt.

Molliqaj ka theksuar se VV do ta përkrahë një iniciative të tillë nëse ajo do të vinte nga harmonizimi mes forcave opozitare. Ndërkohë, kontakti me zyrtarët e AAK-së, të cilet kishin folur për një mocion në Kuvend kundër qeverisë Thaçi, ka qenë i pamundur.

Top Channel