“Soçi 2014”, tërhiqet Plushenko

14/02/2014 00:00

Zhang Hong i ka dhënë Kinës medaljen e parë të artë olimpike në kategorinë e patinazhit të shpejtë në distancën e 1000 metrave.

25-vjeçarja e ndaloi kronometrin në kohën 1:14:02. Në vendin e dytë u rendit kampionia e 3000 metrave për femra, holandezja Iren Vust e cila  pati një vonesë prej 0.67 sekondash dhe në vendin e tretë u rendit holandezja tjetër Margo Boer, me një distancë rreth 1 sekondë më ngadalë se kinezja.

Kampionia e Botës, Hedhër Riçardson, dhe mbajtësja e rekordit të Botës në këtë kategori, amerikania Britani Bou, u renditën shumë dobët, respektivisht në vend të shtatë dhe të tetë.

Japonezi Juzuru Haniu ka vendosur rekord në patinazhin artistik për meshkuj me program të shkurtër, duke lënë pas pretendentin rus Jevgeni Plushenko. Hanju arriti të marrë 101.45 pikë duke i dhënë një goditje të rëndë patinatorit vendas.

31-vjeçari Plushenko është tërhequr në momentin më të mire. Kur e gjithë tifozeria thërriste emrin e tij, ai shkoi përpara jurisë duke regjistruar një dëmtim për të evituar pjesëmarrjen në garë. Ky nuk ishte zhgënjimi i vetëm i mbrëmjes pasi edhe amerikani Xheremi Abot u rrëzua në paraqitjen e tij duke dështuar. Ndërkohë, fituesi i medaljes së argjendtë ishte kanadezi Patrik Can, ndërsa fituesi i medaljes së bronztë spanjolli Havier Hernandez.

Kanadaja ka filluar mbrojtjen e titullit të saj olimpik në hokej për meshkuj. Kampionët në fuqi mundën 3-1 Norvegjinë. Norvegjia, e cila rezultatin më të mirë në Olimpiadë mban atë të vitit 1972 kur u renditën në vendin e 8 nga 11 pjesëmarrës, u dorëzua lehtë përballë Kanadasë. Ndërkohë, në hokej për femra Rusia mundi Suedinë 3-1

Top Channel