Festimet e 6-vjetorit të Pavarësisë në Kosovë do të zgjasin 4 ditë.

Aktivitete kulturore, pritje solemne nga ambasadat në vend, seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, pritje solemne nga kryeministri Hashim Thaçi, homazhe në varrezat e dëshmorëve, ekspozita e koncerte të ndryshme, do të shënojnë këtë festë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka formuar një Këshill Organizativ, me në krye ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekun, për këtë ditë të shënuar për qytetarët e Kosovës.

Axhenda zyrtare parashikon fillimin e saj të premten, më 14 Shkurt, kur në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit do t’i dedikohet kësaj feste historike.

Aktiviteti kryesor do të jetë më 17 Shkurt, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, ku do të organizohet parada e uniformave shtetërore.

“Manifestimi qendror do të organizohet më 17 Shkurt, në orën 12:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në qendër të Prishtinës, me pjesëmarrjen e forcave të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës, dhe e bëjmë këtë, sepse forcat e sigurisë, qoftë ushtria, policia, apo shërbimi korrektues, janë identitet shtetëror. Pikërisht me këto forca që paraqesin identitetin e shtetit, ne dëshirojmë ta shënojmë dhe organizojmë manifestimin qendror”, u shpreh Agim Çeku, ministër i FSK-së.

Në një intervistë për Top Channel, ministri Çeku, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Organizativ, shpjegon dhe simbolikën e logos së 6-vjetorit.

“Simbolizon rrumbullakësimin apo finalizimin e shtetndërtimit dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Është më se e vërtet që ky 6-vjetor po na gjen në një situatë, kur ne jemi pa mbikqyrje ndërkombëtare”, shtoi më tej Agim Çeku.

Manifestime të ngjashme, më 17 Shkurt do të ketë në të gjitha komunat e Kosovës, duke filluar me seanca solemne në secilën Asamble Komunale.

Festa do të mbyllet në fund të natës së 17 Shkurtit, me ndezjen e fishekzjarreve në qendrër të Prishtinës.

Top Channel