Kryeministri i Italisë, Enrico Letta, vizitoi në 13:00 të së premtes presidentin Napolitano, të cilit i dorëzoi zyrtarisht detyrën.
Kështu përfundoi qeverisja 10-mujore e Lettas, i cili mori në dorë vendin në një moment krize, pas koalicionit të brishtë të formuar pas zgjedhjeve të Prillit 2013.
Letta, një ditë më parë pa se si lideri i partisë së tij, Matteo Renzi kaloi një mocion mosbesimi në kryesinë e Partisë Demokratike, duke shtrënguar dorëheqjen e tij. 39-vjeçari Renzi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë.
Zhvillimet në Romë po ndiqen me vëmendje edhe nga vende të tjera të Bashkimit Europian.
Në emër të Kancelares Merkel, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha ditën e premte se: “Berlini pret që ky tranzicion politik në Itali të përfundojë sa më shpejt”.
I zgjedhur në Prill 2013, në krye të një koalicion të gjerë qeverisë, Letta u përpoq të rezistonte deri në fund, por në votimet e mbajtura në kryesi në mungesë të tij, 132 anëtarë të partisë votuan pro-ndryshimit dhe vetëm 16 mbështetën vazhdimin e kabinetit të tij.
Matteo Renzi, kryebashkiaku i Firences dhe një prej politikanëve më karizmatikë dhe popullorë në Itali do të jetë kryeministri i ri i Italisë. Pasditen e së enjtes, në marrjen e fjalës në mbledhjen e jashtëzakonshme. Renzi nenvizoi se kishte ardhur nje moment kur ndryshimi i qeverise ishte bere i domosdoshem.
“Nuk po i bëjmë një proces qeverisë, por jemi në momentin kur duhet të hapim një kapitull të ri. Drejtimi i PD-së falenderon kryeministrin për punën e mirë të kryer gjatë qeverisjes së një ekzekutivi të lindur në një moment delikat. Gjithashtu, e falenderojmë për përmbushjen e objektivave tanë në kuadrin e BE-së. Nuk bëhet fjalë për stafetë. Stafetë ka kur dy vrapues shkojnë në të njëjtin drejtim, jo kur përpiqet të ndryshohet ritmi”, tha Renzi në fjalën e tij.
Në mbledhjen e Partisë Demokratike, e cila në Itali është një forcë e qendrës së majtë, kryeministri Letta vendosi që të mos merrte pjesë.
Në vend të prezencës së tij në këtë mbledhje të jashtëzakonshme, kryeministri i adresoi një letër kryesisë, në të cilën lexohej:
“Të nderuar kolegë. Mendoj se në një ditë të rëndësishme si kjo, është thelbësore që të debati të zhvillohet dhe vendimet që do të pasojnë të jenë të marra me qetësinë dhe përgjegjësinë maksimale. Për këtë arsye, pres në Pallatin Presidencial (Pallazzo Chigi) vendimet që do të merren, në mënyrë që të gjithë drejtuesit të ndihen të lirë të thonë fjalën e tyre”.
Sipas shtypit italian, vendimi për të mos qenë i pranishëm në takim përbënte tentativën e fundit të Lettës për të ruajtur postin e tij, duke shmangur një përballje të sikletshme me liderin e partisë.
Sinjalet për largimin e Lettës u dhanë që në mesditë, kur ai ende pa u shkarkuar, vendosi të anullonte një vizitë zyrtare në Londër.
Në mëngjes, në media qarkulluan zërat se Renzi kishte një ofertë konkrete për kryeministrin aktual, të cilit i ofrohej Ministia e Ekonomisë, në këmbim të dorëheqjes. Këto zëra u përgënjeshtruan nga zyra e shtypit të PD-së. Në hyrjen e tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë së Partisë Demokratike, Renzi refuzoi që të jepte komente për shtypin.
Renzi, kryebashkiaku i Firences, u shndërua edhe në lider të PD-së në Dhjetor. Ndonëse relativisht pa përvojë, statistikat tregojnë se Renzi është shndërruar në një prej politikanëve më të pëlqyer nga italianët dhe ndonëse një ndryshim potencial i qeverisë do të vinte në një moment të keq për vendin, besohet se italianët mund ta mirëpresin këtë “rokadë”.
Më parë gjatë Janarit, Renzi arriti një marrëveshje me Berlusconin, liderin e partisë “Forca Italia”, që udhëheq koalicionin më të madh opozitar, për të kaluar disa reforma kushtetuese dhe një ligj të ri zgjedhor. Në të shkuarën, Renzi është shprehur pro mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana e tij, presidenti Napolitano, njeriu që emëroi kryeministrin Letta, ka thënë se vendimi për një ndryshim të mundshëm të qeverisë i përket vetëm Partisë Demokratike, e cila në Itali është një parti e qendrës së majtë.
Në mbështetje të ndryshimit të kryeministrit është shprehur edhe një prej figurave të njohura të politikës italiane, ish-kryeministri Romano Prodi.
Top Channel